Populistja e djathtë, Giorgia Meloni e paraqet veten në postin e kryeministres italiane si kujdestare e popullit. Por nuk duhet harruar se nga cili krah politik vjen ajo, thonë ekspertët.
Sa më pak gabime, mos rënia në sy për të keq, krijimi i një imazhi pozitiv – këto ishin lajtmotivet e kryeministres së re italiane Giorgia Meloni në 100 ditët e para të qeverisjes. Ose siç shprehet politologia nga Bolonja, Sofia Ventura: “Ishin njëqind ditët e para disi pa ngjyrë”. Deri më tani, thotë Ventura, Meloni nuk ka dhënë “iniciativa vërtet relevante”. Faza e parë u karakterizua nga shqetësimi i kryeministres për t’u paraqitur ndërkombëtarisht si një kryetare e besueshme e qeverisë. Dhe kështu për t’u ofruar kritikëve të tyre pak hapësirë për të sulmuar.
Para zgjedhjeve të shtatorit, revista “Stern” nën një fotografi me Melonin vinte titullin: “Gruaja më e rrezikshme në Europë”. Përhapja e frikës duket se është e rëndësishme për 46-vjeçaren. Kryetarja e parë e qeverisë europiane, e cila e ka nisur karrierën e saj politike në një parti neofashiste, nuk ka devijuar nga parimet e saj politike.Meloni po heq gradualisht ndihmat sociale, ndërsa kur bëhet fjalë për politikën e migracionit, qeveria e saj po vështirëson përmes dekreteve punën e shpëtimit të refugjatëve nga organizatat joqeveritare në Mesdhe. Profesori i njohur Michele Prospero thotë se edhe më e keqe se vetë vendimet janë përpjekjet e qeverisë për ndryshimin e kulturës politike. Për shembull, kur Meloni tani si kryeministre mbron tezën se partia e saj neofashiste, MSI, ishte një shtyllë e demokracisë italiane. Ose kur ajo e bën një burrë që me krenari mban statujën e Musolinit në dhomën e ndenjjes, president të Senaitit – Ignazio La Russa. Sipas Prosperos, këto janë mesazhe politike që sinjalizojnë: “Tradita nuk do të mohohet”.Por partia Fratelli d’Italia e Melonit ka pësuar rënie për shkak të mosmarrëveshjes për rritjen e çmimit të benzinës. Megjithatë, kjo parti e krahut të djathtë mbetet edhe më tej forca më e madhe në Itali me mbi 30 për qind. Është gjithashtu e pazakonshme për Italinë që gjërat mbeten kryesisht të qeta në koalicionin e krahut të djathtë. Madje edhe meshkujt e këtij krahu politik, si Matteo Salvini dhe Silvio Berlusconi kanë heshtur. Meloni, e cila nga jashtë është e shoqërueshme, drejton koalicionin e saj qeveritar brenda vendit me një dorë të hekurt./ DW
Top Channel