Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se përmes rishikimit për të katërtën herë të buxhetit të vitit 2020 siguruam një fond prej 3.4 miliardë lekë për shpërblimin e fundvitit për kategorinë e pensionistëve, përkatësisht në masën 5 pesë mijë lekë për çdo pensionist .

Nga ky shpërblimi, tha Denaj, gjatë një interviste televizive, përfitojnë mbi 670 mijë pensionistë në të gjithë vendin.

Po ashtu, u shpreh Denaj, siguruam mbështetje buxhetore edhe për sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

“Ky Akt Normativ njëkohësisht parashikon edhe një mbështetje shtesë për infrastrukturën dhe energjinë dhe konkretisht për të mbështetur reformën e ujit. Në Aktin Normativ të fundit, shkon 2.9 miliardë lekë pagesa për rreth 30 projekte, të cilat kanë avancuar me punimet që zbatohen nga agjencitë përkatëse dhe bashkitë me fondet e buxhetit të shtetit”, tha Denaj

Denaj tha se nga skemat e punësimit të prezantuara nga qeveria në mesin e këtij viti kryesisht për ata punonjës që janë prekur në punën e tyre për shkak të pandemisë kanë përfituar 2600 punonjës.

Përmes paketave mbështesë financiare, Denaj u shpreh se fokus ka qenë biznesi i vogël dhe pse pagesat tha ajo, shkuan te individi.

Krahas paketave mbështetëse financiare, ministrja bëri të ditur se kemi rritur edhe investimet në sektorin e ndërtimit i cili ka një rritje të konsiderueshme.

Lidhur me borxhin publik, Denaj bëri të ditur se gjithmonë ka një re se ku shkuan paratë.

“Paratë vijnë për të mbështetur deficitin sidomos në kushtet e këtij viti ku rënia e të ardhurave parashikohet të shkojë deri në 60 miliardë lekë nga të cilat 1/3 vjen nga shtyrja e pagesës së tatimeve, duke iu ardhur në ndihmë biznesit të vogël”, deklaroi ministrja.

Ministrja siguroi se buxheti ka likuiditet të mjaftueshëm.

“Edhe marrëveshja me BE është duke u finalizuar dhe do të disbursohet në janar. Është viti i parë që nuk ka një kufizim në pagesa në thesar. Për arsye të kësaj situate ne nuk kemi bërë kufizime në thesar, pasi çdo vit janë vendosur rregulla që përcaktonin kush paguhet i pari apo i dyti. Kjo tregon se ka likuiditet të mjaftueshëm”, deklaroi ministrja.

Nga ana tjetër tha ajo, edhe buxheti 2021 ka folur përmes një fondi shpenzimesh prej 121 miliardë lekësh.

“Infrastruktura, rindërtimi, bujqësia janë sektorët prioritarë“, u shpreh Denaj.

Lidhur me faktin nëse duhet të hidheshin më tepër para për të mbështetur direkt sektorë të caktuar të ekonomisë, ministrja Denaj tha se ne kemi krijuar skema të cilat rezultojnë më efikase se sa do të ishte dhënia e parave direkt.

“Skema e mbështetjes së fermerit do ti përgjysmojë koston e naftës pasi janë hequr disa taksa. Po ashtu një ndër skemat e punësimit targeton pikërisht punonjësit informalë“, tha ajo.

Lidhur me të ardhurat që parashikohen të mblidhen për vitin që vjen , ministrja u shpreh se një nga arsyet bazë pse po punohet në drejtim të mirëadministrimit fiskal me sisteme është edhe ulja e informalitetit, çka do ti lejonte qeverisë të mund të ndërmerrte me shumë politika sociale dhe të kryente më tepër investime.

E pyetur nëse janë prekur koncensionet nga rialokimi i fondeve ministrja Denaj shprehet se kontratat koncensionare u prekën në fillim të vitit, ndërsa thekson se nuk është prekur fare Reforma në Drejtësi.

“Kontratat koncensionale i kemi prekur në fillim të vitit, pasi ishte burim i mundshëm për të pezulluar disa koncensione si i check up dhe koncesionin e laboratorëve dhe reduktuam dhe vlefta të koncensioneve të rrugës së Arbrit”, tha ministrja.