E vendosur në Gadishullin Ballkanik, “Karaibet e Evropës”, Shqipëria mirëpret gjithnjë e më shumë vizitorë dhe po konsolidohet në hartën turistike të Kontinentit të Vjetër, sipas një artikulli të botuar në revistën kolumbiane “El Tiempo”.

 

Dikur një vend i mbyllur në orbitën e dikurshme komuniste, në juglindje të Gadishullit Ballkanik, Shqipëria po shfaqet në turizmin ndërkombëtar si “Karaibet e Evropës”.

 

Ndërkohë që agjencitë turistike vazhdojnë ta ofrojnë gjithnjë e më shumë, Shqipëria po konsolidohet si destinacioni i zgjedhur nga mijëra vizitorë nga e gjithë bota – që vijnë për të zbuluar plazhet e saj të ëndrrave.

 

Shqipëria është një vend i vogël me brigje në detet Adriatik dhe Jon. Shumë ekspertë të udhëtimeve i kanë i krahasuar plazhet e saj me kartolinat idilike me ujëra të pastra kristal me pamje nga Republika Domenikane, Kuba apo Meksika.

 

Pika e nisjes për ta eksploruar mund të jetë Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, nga ku mund të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar dhe lagjen shumëngjyrëshe të Bllokut, i famshëm për jetën e tij të natës.

 

Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”, shquhet si një tjetër peizazh urban i dukshëm për t’u vizituar.

 

Është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, i njohur edhe nga UNESCO për arkitekturën e tij unike.

 

Ndër xhevahiret e këtij qyteti janë Kalaja e Beratit, e djegur nga romakët në vitin 200 para Krishtit; Muzeu i famshëm i Onufrit – i vendosur brenda katedrales së “Shën Mërisë” e shekullit XVIII; dhe objekte të tjera të shenjta si Xhamia e Plumbit, Xhamia e Mbretit dhe Xhamia e Beqarëve apo ura e Goricës mbi lumin Osum, si një nga vendet më të veçanta të Beratit.

 

Për adhuruesit e ecjes dhe natyrës, një tjetër pikë kryesore është Parku Kombëtar i Llogorasë, me pamje panoramike të detit Jon dhe Rivierës mahnitëse Shqiptare.

 

Ndërkohë, kureshtarët për historinë do të gjejnë në qytetin e Butrintit rrënoja arkeologjike nga epoka greke, romake dhe bizantine. //a.i/