Departamenti i Histori-Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Elbasanit, në bashkëpunim me institucione partnere brenda dhe jashtë vendit , organizoi Konferencën Shkencore Ndërkombëtare dy ditore “100 Vjet nga Republika Parlamentare Shqiptare”.
Ky aktivitet mblodhi historianë, akademikë dhe studiues për të reflektuar mbi zhvillimet historike, politike dhe sociale në formimin e shtetit modern shqiptar dhe institucioneve demokratike.
Seanca plenare u moderua nga drejtuesja e projektit Dr. Florinka Gjevori. Në fjalën përshëndetëse, Rektorja e Universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Elvira Fetahu, theksoi rëndësinë e organizimit të eventeve të tilla për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes studiuesve, për të sjellë perspektiva të reja dhe për të inkurajuar brezin e ri në kërkimin shkencor , duke forcuar lidhjet mes akademisë dhe shoqërisë.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. as.dr. Ardian Lami në fjalën e tij e vuri theksin në vazhdimësinë e traditës së organizimit të konferencave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fakultet, si dhe mbështetjen e dhënë për projektet kërkimore-shkencore nga UE “Aleksandër Xhuvani”, për stafin akademik dhe studentët e të tre cikleve të programeve të studimit.
Konferenca synoi të çojë më tej arritjet e studimeve shumëvjeçare shqiptare, duke promovuar qasje të reja kërkimore mbi ndikimin e Republikës në zhvillimin politik, institucional dhe shoqëror të Shqipërisë dhe të rajonit.
Platforma e krijuar mundësoi shkëmbimin e ideve, prezantimin e 80 punimeve shkencore , si edhe përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes institucioneve kërkimore dhe studimore.