Edhe pse vendi më i varfër në Europë për të ardhurat, çmimet në stratosferë

Shqipëria, më e varfra e Europës për të ardhurat, është vendi që ka çmimet më të larta në rajon për disa kategori, si “ushqime e pije joalkoolike”, dhe sidomos për veshje e pajisje elektronike, duke u krahasuar me mesataren europiane.

Ndërsa kanë më pak të ardhura se të gjithë (31% e mesatares europiane), familjet shqiptare përballen dhe me çmime të larta të ushqimeve, çka i bën ata edhe më të varfër. Eurostat ka publikuar të dhënat e krahasueshme mbi nivelin e Indeksit të Çmimit të konsumit për mallrat dhe shërbimet, i cili mat diferencat në çmime mes vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë dhe rajonin.  Në përgjithësi, në Shqipëri, çmimet janë sa 57% e mesatares së BE-së më të lartat në rajon, së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi. Më e lira është Maqedonia, sa 50% e mesatares së BE-së dhe më pas Bosnja, me 55%.

Për disa kategori, Shqipëria është më e shtrenjta. Për ushqime dhe pije joalkoolike, çmimet janë sa 82% e mesatares europiane, ndërsa Mali i Zi, me të ardhura më të larta e ka 79%, Serbia (78%), Bosnjë-Hercegovina (76%), ndërsa më të lira, ushqimet janë në Maqedoninë e Veriut (61%). Maqedonia e Veriut është vendi ku ushqimi kushton më lirë se në çdo vend tjetër të Europës.

Shqipëria mban rekord dhe për peshën e lartë të shpenzimeve për ushqime, ku familjet harxhojnë mesatarisht 44% të totalit për të përmbushur nevojat për t’u ushqyer (mesatarja e BE-së është 12%) Për çmimet totale, vendi më i lirë në Europë është Turqia, me 47% të mesatares europiane dhe më i shtrenjti Zvicra (162%).