“Krahina e Labinotit”, është banuar qysh prej lashtësisë. E përbërë nga disa fshatra, i pari që sheh është Labinot Fushë, e më pas për t’u ngjitur në Labinot Mal, rruga kalon nga Griqan. Një fshat i njohur i këtyre anëve, prej nga ku në dalje të tij mund të zbuloni varre të periudhës ilire. Madje, qysh prej shek të IV rrënojat e një kishë-varreze! Kjo të befason.
Banorët e këtyre anëve, po të panë në rrugë nuk të lënë pa të ftuar në vatrën e tyre duke treguar mikëpritjen tradicionale e cila vijon edhe sot njëjtë. Janë njerëz të dashur. Të thjeshtë e punëtorë! Fshati fundit është Labinot Mal. Një fshat i rëndësishëm që nga lufta antifashiste.
Por, cili është burimi jetës këtu? Ku kanë përfunduar varret e periudhës ilire? Kanë kaluar 77 vjet që nga lufta e dikurshme ku gjermanët donin të hynin në Labinot Mal për të zënë Shtabin e Përgjithshëm, po tani ç’ndodh aty? Ç’thonë banorët? Po nga rruga Egnatia ç’ka mbetur? Ku gjendet ajo?
Legjenda dhe histori, do të rrëfejë Ilnisa Agolli sot, në vendin ku qytetërimet e lashta mbulojnë njëra tjetrën. Labinot Fushë-Katund-Mal, një dokumentar për ketë krahinë kaq të rëndësishme dikur të Çermenikës dhe sot Elbasanit.