Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se deri tani kanë aplikuar për të përfituar mbështetje nga garancia financiare e akorduar nga qeveria për subjektet me vështirësi për pagesën e pagave të punonjësve, 759 subjekte për një shumë prej 8,2 miliardë lekësh. Sipas Ministrisë së Financave, 466 subjekte kanë përfituar nga Garancia Sovrane I, për pagat e 46 mijë punonjësve me një fond total prej 6 miliardë lekësh. Duke analizuar sektorët, rezulton se sektori i prodhimit është ai që ka kërkuar më tepër mbështetje te ky instrument i qeverisë.
Sipas të dhënave të MFE-së, kanë përfituar 145 subjekte që operojnë në sektorin e prodhimit një shumë prej 2.6 miliardë lekë dhe kanë përfituar 22 305 punonjës. Nga sektori i tregtisë kanë përfituar 143 subjekte një shumë prek 1.1 miliardë lekësh për 9,218 punonjës. Ndërsa nga sektori i turizmit rezultojnë përfituese 23 subjekte për një shumë prej 130 milionë lekësh. Për të mbështetur subjektet me likuiditet, qeveria shqiptare miratoi garancinë e parë në vlerën 11 miliardë lekë, e cila do të ndahej nga bankat për subjekte që kanë vështirësi në pagimin e pagave.
Kostot e normës së interesit mbulohen tërësisht nga qeveria dhe nuk kërkohet asnjë kolateral nga kompanitë. Kredia do të mbulojë pagat e punonjësve për një periudhë 3 mujore duke mos tejkaluar pagën mujore prej 150 mijë lekësh për punonjës. Të gjithë sektorët e ekonomisë janë të përfshirë me përjashtim të telekomunikacionit, shitjes me shumicë të produkteve ushqimore dhe farmaceutikës.