11 miliardë lekë është garancia sovrane e vënë në dispozicion të 12 bankave të nivelit të dytë që duhet të japin kredi për bizneset e prekura nga masat kundër COVID-19, në mënyrë që subjektet të paguajnë punonjësit e tyre.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se qeveria do të marrë përsipër koston e interesit për kreditë.
Biznesi pati kundërshtuar në masë normën e interesit prej 2.85%, duke e konsideruar një kredi tregtare.
Rama: Duke u kthyer tek instrumenti i mëparshëm i garancisë kemi vendosur që qeveria të marrë përsipër koston e interesit për kreditë.
Shefi i qeverisë njoftoi gjithashtu se me paketën e zgjeruar do të shtyhen dhe pagesat e kësteve të tatim-fitimit për të gjithë sipërmarrjet, me përjashtim të sistemit bankar, telekomunikacionet, kompanitë publike dhe kompanitë e zinxhirit të furnizimit me mallra esencialë.
Rama: Paketa e zgjeruar përcakton që të gjithë sipërmarrjet, përjashto sistemin bankar, telekomunikacionet, kompanitë publike dhe kompanitë e zinxhirit të furnizimit me mallra esencialë që kanë pasur një volum normal, madje të rritur këtë periudhë, pagesat e kësteve të tatim-fitimit do të mund ti bëjnë pas datës 30 shtator.
Ndërsa turizmi, fasonët, call center-at dhe biznesi i vogël me xhiro deri në 14 mln lekë në vit pagesat e tatim-fitimit do të shtyhen përtej 31 dhjetorit dhe shlyerja e pagesave do të bëhet në mënyrë proporcionale.
/Ora News.tv/