Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se investimi në TEC-in e Vlorës do të bëhet nga kompanitë amerikane dhe do të prodhohet energji sipas nevojave të vendit tonë. Duke folur në një intervistë televizive në lidhje me investimet në energji, Balluku tha se, “padyshim këto janë injektime shumë të rëndësishme përsa i përket energjisë në Shqipëri”.

“Qoftë investimi përsa i përket Skavicës, me kompaninë Bechtel, që tashmë është gati për të kaluar në ditët e ardhshme si ligj i posaçëm në parlament, qoftë investimi, një injeksion amerikan në tregun shqiptar, vënia dhe kthimi në funksional i TEC-it të Vlorës. Ç’është më e rëndësishmja ai TEC nuk do të bëhet thjesht funksional, por mbi të gjitha do t’i ndryshojë teknologjia duke u kthyer nga një teknologji me naftë, në teknologjinë me gaz të lëngshëm”, theksoi Balluku.

Balluku u shpreh se i gjithë investimi do të vijë nga SHBA.

“Exxon Mobil dhe Excelerate Energy janë dy kompani të cilat do të investojnë. Njëra si operatore, Excelerate dhe Exxon si furnizuese. Kështu që nuk do ketë një investim nga shteti shqiptar dhe do të jetë tërësiht një investim nga SHBA-të”, tha ajo.

Balluku theksoi se interesi i këtyre kompanive për të investuar është që shteti shqiptar do të blejë energjinë e prodhuar. “Por, ndërkohë ky është një plan që ne kishim prej kohësh dhe jemi munduar disa herë, jo vetëm qeveria Rama, por edhe qeveritë e tjera, që ta kthejmë këtë TEC në funksional dhe ka qenë e pamundur për shkak të ndërtimit të gabuar që në fillimin e tij”, tha ajo.

“Duhet të kujtojmë që kemi një kredi të mbartur, për shkak se projekti filloi një herë. Pra me një kredi të BB, ne e paguajmë sot e kësaj dite nga KESH-i dhe nuk është vënë asnjë ditë në punë”, vijoi Balluku.

“Kështu që bazuar në të gjithë eksperiencën e dy kompanive kaq të mëdha dhe në të gjithë ofertën dhe injektimin financiar që ato do të bëjnë në tregun e energjisë, Republika e Shqipërisë do të blejë këtë sasi prodhimi sipas nevojave tona. Pra pjesë e marrëveshjes është që ky TEC do të prodhojë sipas nevojave momentale të Shqipërisë, duke pasur për bazë të gjithë energjinë që ne prodhojmë gjatë stinëve të cilat sjellin reshje, pa siç është dimri apo vjeshta nga hidrocentralet që ne kemi në Shqipëri”, tha Balluku.

Në lidhje me ofertën e PD për energjetikën, Balluku tha se, “të kesh sot në 2021 ofertë përdorimin e hidrocentraleve si bazë, minimalisht mund ta quash qesharake si ofertë”.

“Hidrocentralet kanë qenë bazë për përdorimin e energjisë në Shqipëri që nga vitet ’70 . Kështu që kjo nuk është një ofertë e re dhe nuk ka as kapacitete për ndërtim hidrocentralesh të tjera, përveç hidrocentraleve që ne kemi. Hidrocentrali i Skavicës është mjaft i rëndësishëm, jo nga kapaciteti i prodhimit, por për nga rregullimi që do t’i bëjë kaskadës. Hidrocentrali i Skavicës, tashmë ka hyrë në fazën finale, pasi në seancën e fundit parlamentare ne shpresojmë që të kemi mundësi të aprovojmë ligjin special, të posaçëm për këtë projekt”, tha Balluku.

“Kështu që PD do vijë me një ofertë për të prodhuar energji nga hidrocentralet që kanë që në vitin 70 që prodhojnë energji për Republikën e Shqipërisë. Sot Shqipëria ndodhet në një fazë të re të energjetikës dhe ajo çka duhet të bëjmë dhe çfarë kemi bërë ne deri sot është diversifikimi i burimeve të rinovueshme. Shqipëria prodhon 100% energji të rinovueshme nga hidrocentralet, kështu që mos jemi gjithmonë me sytë nga qielli se kur do bjerë shi, ne na duhet që t’i diversifikojmë këto burime ashtu siç dhe kemi bërë”, tha Balluku.

“Ne kemi përfunduar ankandin dhe ka nisur nga puna ndërtimi i parkut më të madh fotovoltaik në Ballkan, atij të Karavastasë, i cili po ndërtohet nga kompania shumë e njohur dhe një nga dominueset e tregut europian kompania franceze Voltalia. Dhe jemi vetëm një javë larg, të premten tjetër ose të enjten ne kemi shpalljen e fituesit për parkun e dytë fotovoltaik në Shqipëri, atij të Spitallës, prej 100 MË, ku ka pasur një pjesëmarrje të rëndësishme prej 5 kompanish. Dhe si edhe në ankandin e parë ne e kemi organizuar së bashku me BERZH duke ecur hap pas hapi sipas një modeli transparent që është bërë shumë tërheqës për të gjitha kompanitë e huaja që duan të financojnë dhe duan të investojnë në Shqipëri. Diversifikimi është ajo çka PS do të bëjë, çfarë ka bërë gjatë këtij mandati dhe çfarë do të vazhdojë të bëjë”, u shpreh Balluku.

Në lidhje me planin e qeverisë për gazifikimin e vendit, Balluku tha se, “ne kemi një masterplan për gazifikimin e vendit”.

“Sigurisht ka lindur nga nevoja e përdorimit të energjisë elektrike në çdo fushë, në vendin tonë përdoret energjia elektrike për gjithçka, si për prodhimin e industrisë ashtu dhe për përdorimin e shtëpiakeve, të abonentëve, qoftë kjo për ngrohje, për gatim etj. Duke parë nevojën e një burimi tjetër që është më eficient nga ana ekonomike, por sigurisht edhe do të ishtë më i prekshëm nga të gjithë abonentët, kemi vendosur të bëjmë këtë masterplan, i cili rezulton një nga hapat më të rëndëishëm për mandatin e ardhshëm dhe për këtë arsye kemi nisur nga puna. Sigurisht do të ketë disa qytete pilote, të cilat ndodhen afër gazsjellësit të TAP-it, daljeve të TAP-it siç është Korça apo siç është Fieri, për të vazhduar pastaj edhe me qytetet e tjera”, theksoi Balluku.

Sigurisht, theksoi Balluku, “TAP është një projekt mjaft i rëndësishëm, i cili ka bërë një nxitje ekonomike dhe një rritje të ekonomisë së shkallës të ndjeshme në Shqipëri”.

“Nga ana tjetër duhet pasur parasysh se edhe marrëveshja e re që kemi bërë me SHBA përsa i përket gazit të lëngshëm, do të ndikojë mjaft rëndësishëm në gazifikimin e vendit. Pasi nuk parashikohet që ky gaz të përdoret vetëm për funksionin e TEC-it të Vlorës, por sigurisht edhe për shpërndarjen e këtij gazi në shkallë të vogël për përdorim familjar. Kështu që në Vlorë do të ndërtohet edhe porti i lundrueshëm, siç quhet ndryshe i gazit të lëngshëm, i cili do ta bëjë Vlorën një pikë shpërndarje, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin”, tha Balluku.