Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me projektin e GIZ-it të financuar nga Qeveria Gjermane ka nisur rehabilitimin e landfilleve në disa qytete të Shqipërisë për t’i bërë ato konform normave. Projekti i cili nisi në Peqin synon që mbetjet të diferencohen në këto landfille, pjesa e mbetjeve organike të dekompozohet dhe më pas të kalojë për pleh për bujqësinë ndërsa mbetjet e tjera të shkojnë në inceneratorin e Elbasanit.

Përfaqësuesi i Giz tha se Shqipëria nuk ka pse pret të hyjë në BE për të bërë mënaxhimin e mbetjeve urbane.

“Ne jemi kontaktuar nga qeveria shqiptare për të asistuar në menaxhimin e mbetjeve urbane. Kjo është faza fillestare e projektit, ku e rëndësishme është të mblidhen sa më shumë mbetje urbane. Kjo është një zgjidhje që zgjat për 5 vjet dhe më pas bashkitë do t’i dërgojnë mbetjet e tyre të inceneratorin e Elbasanit. Jo çdo bashki mund të ketë një incinerator modern dhe ne po punojmë në disa projekte më Ministrinë e Mjedisit për riciklimin e mbetjeve. Këto janë zgjidhje bazike dhe të shpejta dhe nuk kemi pse presim 10 vjet derisa Shqipëria të jetë pjesë e BE”

Kryetari i Bashkisë Florenc Tosku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit duke kërkuar më shumë ndërgjegjësim edhe nga qytetarët përsa i përket mbetjeve urbane.

Ministria e Mjedisit ka përcaktuar disa bashki që do të përfitojnë nga faza e parë e projektit për menaxhimin e mbetjeve urbane. Ato janë Bashkitë Gjirokastër, Mallakastër, Skrapar, Prrenjas e Këlcyrë.