Është përmbyllur procesi i aplikimit për fondet e projektit IPA, të Bashkimit Europian, i cili mbështet prej disa vitesh zhvillimin e sektorit të peshkimit në vendin tonë.
Rreth 65 anije peshkimi nga 230 në total u bënë pjesë e procesit, ku 41 prej tyre janë në Durrës, 20 anije peshkimi në Vlorë dhe 4 në Shëngjin.
Fituesit e projektit IPA do të mbështeten me fonde deri në masën 50 % për investime në bordin e anijeve të peshkimit, për ndërrimin e motorëve, blerjen e pajisjeve elektronike dhe të ndërtimit të frigoriferëve.
Qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian adresojnë në buxhetin e vitit 2021 një grant me vlerë 1,5 milionë euro për subvencionimin me 50 % të peshkatarëve, për shpenzimet për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit.
Peshkimi mbetet një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare që jep një kontribut të madh në ekonominë e vendit përmes rritjes së qendrueshme të eksporteve të peshkut në tregjet e huaja.