Ish-anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edith Harxhi u shpreh sot se ka një zhgënjim shumë të madh për qeverinë Rama, por se ajo nuk sheh të ketë frymë për shpresë nga opozita. Në një intervistë televizive, Harxhi foli edhe për pritshmëritë e 25 prillit si dhe gjendjen aktuale të opozitës.
“I besoj shumë faktit që një angazhim i madh popullor, për të rrëzuar qeverinë Rama bëri të mundur që PD të vijonte dhe të mos humbiste shpresë”, tha ajo. Sipas saj, “PD dhe kryetari i saj nuk kanë arritur ta përforcojnë frymën e ndryshimit”.
Harxhi u shpreh se dalja nga parlamenti dhe mos hyrja në zgjedhjet e vitit 2017 e kanë vendosur Partinë Demokratike në një moment shumë të vështirë.
“Djegia e mandateve dhe vendimi për të mos u futur në zgjedhje e kanë lënë PD në një moment shumë të vështirë, pa pushtet, edhe pa pushtet lokal. Mendoj që mosqenia në pushtet lokal është shumë shqetësuese. Në 60 bashki, PD nuk po kontrollon asgjë”, tha ajo në një intervistë televizive
Harxhi u shpreh se PD dështoi ta largonte Ramën nga qeveria për disa arsye.
“PD dështoi, për dy-tre arsye. E para, ishte vendim personal i kryetarit të partisë për të djegur mandatet. E mori pa konsultim me forumet e partisë. Ka pasur edhe kryetarë të partive më të vogla të opozitës që nuk e kanë dëshiruar si hap. Mediu mori disa ditë dhe u mundua ta bindte”, u shpreh ajo.