Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio u shpreh në një intervistë televizive dhënë gjatë vizitës që zhvilloi së fundmi në Tiranëse Italia mbetet mbështetësi kryesor i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ai u ndal tek nënshkrimi i deklaratës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar “të rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin tonë tregtar dhe ekonomik, për të vlerësuar situatën, bashkë me institucionet shqiptare, mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë si dhe për të nxitur marrëdhënie të reja bashkëpunimi kulturor, marrëdhënie të reja mes dy popujsh që e duan njëri tjetrin, që kanë qenë përherë miq, mes dy vendesh që duhet të forcojnë më tej marrëdhëniet e tyre pasi Italia dhe Shqipëria mund të bëjnë shumë më tepër bashkë”.
“Unë besoj fort në marrëdhëniet tona, jo vetëm në ato tregtare por edhe në ato politike pasi ky rajon, rajoni i Adriatikut është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës, është një rajon që për nga vetë pozicioni, nga pikëpamja e aleancave, sikurse ajo me Naton, e aleancave evropiave dhe me Mesdheun, mund të ofrojnë shumë për këtë zonë të përbashkët, sikurse është Mesdheu, çka do të thotë mundësi të reja tregtare, për sipërmarrjet tona, për sipërmarrësit tanë si dhe për të rinjtë tanë që janë në kërkim të punës”, u shpreh Di Maio.
Duke dhënë edhe përvojën italiane në luftën ndaj korrupsionit, Di Maio theksoi se “ne jemi shumë të kënaqur me hapat përpara që ka bërë Shqipëria në drejtim të luftës ndaj korrupsionit”.
I pyetur nëse është gati Shqipëria për konferencën e parë ndërqeveritare me BE, Di Maio theksoi: “Unë mendoj se duhet këmbëngulur në këtë drejtim, në mënyrë që kjo Konferencë të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi duke punuar së bashku, Italia dhe Shqipëria, në mbështetje të këtij procesi, edhe përsa i përket ligjit kundër korrupsionit”.
Eunews.al