Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi sot se vihet re një trend rritës i veprës penale të dhunës në familje në krahasim me një vit më parë.

Deklarata e kryeprokurorit u bë gjatë tryezës “Promovimi i mekanizmave legjislativo-penale në luftën kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe OPDAT.

“Dhuna mbi bazë gjinore vijon të mbetet në fokusin e veprimtarisë institucionale të Prokurorisë jo vetëm si një nga objektivat që vendosen çdo vit në kuadër të luftës ndaj krimit. Ne e konsiderojmë këtë fenomen si një sfidë me rëndësi thelbësore që kërkon një qëndrim më strategjik, në funksion të realizimit të një ndikimi të thellë e afatgjatë për shoqërinë”, tha Çela.

Kryeprokurori tha se masat që duhen marrë në përgjigje të këtij fenomeni duhet të përfshijnë disa aktorë, si dhe të jenë të shoqëruara nga analiza të thelluara shumëplanëshe, me natyrë kriminologjike e më gjerë, periodike dhe transparente për publikun.

“Gjenerimi dhe përdorimi efikas i tërësisë së energjisë shoqërore që sjell ndryshime të vërteta, të prekshme, larg sloganeve e publicitetit shterpë, mbeten sfida dhe detyra jonë e përbashkët”, shtoi ai.

Çela u ndal edhe në statistikat konkrete të këtij fenomeni.

“Nëse do t’i hidhnim një vështrim krahasues të dhënave statistikore për 9-mujorin e vitit 2021, vihet re një trend rritës i veprës penale të dhunës në familje në krahasim me një vit më parë me 977 procedime penale të regjistruara në krahasim me 932 në vitin 2020. Shqetësues mbetet fakti se një prirje me kah në rritje haset edhe në kryerjen e veprës penale në mënyrë të përsëritur dhe në prani të fëmijëve. Një rritje më e lehtë vihet re tek “krimet seksuale”, ku shifrat krahasimore për 9-mujorin shfaqin një numër më të lartë të procedimeve për këto krime, 116 të tilla nga 106 të një viti më parë”, tha ai.

Ai vuri në dukje se ka një shtim të rasteve të veprës penale të “keqtrajtimit të të miturve”.

“Ngjarjet e rënda të ndodhura këtë vit me viktima të miturit, janë tregues të një problemi serioz në shoqëri, që bën të domosdoshëm një vëmendje të shtuar institucionale e më gjerë. Dhuna ndaj të miturve, për shkak të pamundësisë dhe paaftësisë së viktimave për të perceptuar e raportuar krimet, e bën mjaft të ndërlikuar e të vështirë ndërmarrjen e masave efikase, duke marrë në konsideratë edhe faktorët social, ekonomik e kulturor që ndikojnë jo pak në trajtimin e duhur të fenomenit. Të miturit janë pjesa më vulnerabël e shoqërisë dhe ata kanë nevojë më shumë se kushdo për praninë dhe mbrojtjen tonë”, deklaroi Çela.

Ai shtoi se keqtrajtimi i të miturve përgjithësisht ndodh në një ambient ku dhuna ndaj gruas është prezente dhe e përsëritur.

“Dhunimi i tyre apo rritja e tyre në ambiente ku dhuna është pjesë e përditshmërisë dëmton të ardhmen e vendit në mënyrë të pariparueshme, pasi përbën parathënien e shoqërisë së nesërme ku dhuna mund të pranohet në pikëpamje kulturore si normalitet e të dhunuarit e sotëm potencialisht mund të shndërrohen në dhunuesit e ardhshëm. Ndaj mbetet thelbësor një angazhim serioz i prokurorëve, si në vlerësimin e kujdesshëm të çdo të dhëne e më tej hetimin e plotë të fakteve, ashtu edhe në qëndrimin e ashpër për sa i përket masave të dënimit për autorët. Toleranca apo indiferenca institucionale në rastet e dhunës kundrejt të gjithë personave vulnerabël ndaj saj, brenda familjes apo në ambiente të tjera sociale, frymëzojnë akte të tjera dhune”, u shpreh Kryeprokurori.

Çela foli edhe për mungesën e të dhënave të besueshme statistikore dhe analitike për ndikimin e pandemisë në nivelin e dhunës mbi baza gjinore.

“Duhet të synohet përfshirja e dhunës kibernetike ndaj grave dhe vajzave në të dhëna statistikore të veçanta, për të vlerësuar më mirë përmasat e problemit dhe masat që mund të merren”, u shpreh Çela.

Kryeprokurori Çela renditi disa nga masat e marra nga institucioni që ai drejton.

“Nga ana jonë janë marrë disa masa si: miratimi i udhëzimit mbi hetimin dhe ndjekjen penale efektive të veprave penale kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë urrejtje, që adreson detyrimet e konventës së Stambollit. Ky udhëzim synon të unifikojë masat proceduriale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe organizatat e shoqërisë civile, në kryerjen e trajnimeve, hartimin e protokolleve dhe strategjive specifike në trajtimin e rasteve ku përfshihen viktima të dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe dhunës me bazë urrejtje. Masë tjetër është nxjerrja e udhëzimit mbi hetimin dhe ndjekjen penale efektive të veprave penale me të mitur në konflikt me ligjin, viktimë ose dëshmitar”, deklaroi Çela