Ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Evis Kushi, ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Anila Denaj, dhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci, nënshkruan marrëveshjen e re të mirëkuptimit mbi programin “Iliria”, me qëllim nxitjen e mëtejshme të mësimdhënies së gjuhës italiane, si gjuhë e parë e huaj, në sistemin arsimor shqiptar.
Me anë të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria merr përsipër të përhapë mësimdhënien e gjuhës italiane në sistemin parauniversitar.
Italia, nga ana e saj, do të vijojë të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të mësimdhënies së gjuhës italiane përmes lëvrimit të kontributeve në dobi të mësuesve shqiptarë të gjuhës italiane si dhe furnizimit me materiale didaktike të bibliotekave dhe laboratorëve të shkollave “Iliria”.
Italia do të vijojë gjithashtu të japë ndihmesën e saj në formimin e mësuesve shqiptarë të italishtes përmes Zyrës së Shkollave të Ambasadës së Italisë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, duke vënë theksin kështu në angazhimin e vazhdueshëm italian në integrimin nëpërmjet projekteve inovative dhe nismave kulturore të kurrikulave tradicionale të mësimdhënies.
Kjo marrëveshje parashikon gjithashtu edhe përfshirjen e shkollave teknike profesionale vendase me module në gjuhën italiane të lëndëve jogjuhësore, duke pasur parasysh praninë e gjerë të sipërmarrjeve italiane në Shqipëri, si dhe nevojën për gjetjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në vend.
Ministrja Kushi theksoi se kjo është një ndër marrëveshjet më rëndësishme mbi të cilat bazohet bashkëpunimi në fushën e arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Risi në këtë marrëveshje është rishikimi i nivelit të njohurive gjuhësore, që bazohet në kuadrin e Përbashkët Europian të Referencës për Gjuhët, si dhe përfshirja e arsimit dhe formimit profesional. Kjo ka ardhur si nevojë e tregut të punës për të pasur më shumë profesionistë të fushave të ndryshme që njohin gjuhën italiane”, tha ajo.
Zhvillimi profesional i mësuesve të gjuhës italiane është një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje.
“Që prej vitit 2006 kur ka filluar kjo marrëveshje, ka dhënë kontribut dhe ndihmë të madhe pikërisht në trajnimin e mësuesve të gjuhës italiane. Edhe në këtë marrëveshje është shumë e rëndësishme që pala italiane angazhohet për trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve të gjuhës italiane, madje duke përfshirë në këtë proces edhe profesorë nga universitetet më prestigjioze të Italisë, siç është Universiteti Shtetëror i Milanos”.
Nga ana tjetër, ministrja Denaj theksoi, se qeveria shqiptare, me mbështetjen e shumë partnerëve, ka investuar dhe ka ringritur strukturat e arsimit profesional për të siguruar një arsim cilësor për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri.
“Në punën tonë jemi angazhuar në dy drejtime thelbësore bërjen funksionale të strukturave në funksion të punësimit dhe arsimit profesional cilësor, rritjen e cilësisë së kushteve, mësimdhënies dhe numrit të nxënësve të në degë që i ofrojnë të rinjve një zanat dhe treg të sigurt të punës”, tha Denaj.
Sipas Denajt, vitet e fundit ka një rritje të numrit të nxënësve që ndjekin shkollat profesionale. Konkretisht nga rreth 13-14 %, që përbënin nxënësit e shkollave profesionale kundrejt totalit të nxënësve në shkollat e mesme, sot kjo shifër është rreth 20 %.
Ambasadori Bucci deklaroi se marrëveshja e programit “Iliria”, është një mjet i rëndësishëm që rregullon mësimdhënien e gjuhës italiane në shkollat shqiptare.
“Gjuha italiane ka qenë një mjet i rëndësishëm për breza të tërë shqiptarësh, për të çelur një dritare drejt botës. Falë programit “Iliria” janë formuar, ndër vite, jo vetëm të rinjtë shqiptarë, por edhe mësuesit e gjuhës italiane. Synimi ynë është të fuqizojmë mësimdhënien e gjuhës italiane në Shqipëri duke e çuar italishten edhe në shkollat profesionale shqiptare, pasi gjuha italiane duhet të jetë një mjet i dobishëm për t’u mundësuar punësimin të rinjve shqiptarë që diplomohen në degët e ndryshme profesionale”, tha ai.
Ambasadori po ashtu vuri në dukje se Italia vazhdon të jetë partneri i parë tregtar i Shqipërisë dhe një e treta e shkëmbimeve të Shqipërisë kryhet me Italinë.
Bucci tha se janë rreth 3 mijë ndërmarrjet italiane që punojnë në Shqipëri duke i ofruar punë dhjetëra-mijëra njerëzve. “Ndaj, e mbi të gjitha për këtë arsye, gjuha italiane është shumë e rëndësishme”, shtoi ai.