“Vajzat i përbuzin në shkollë dhe ato vijnë në shtëpi duke qarë”, kjo ka qenë deklarata e Enerietës në “Më thuaj një dëshirë”, një nënë që pas divorcit me bashkëshortin rrit e vetme dy vajzat e saj, në një banesë me kushte vërtet të mjerueshme.

Dëshira e 8-vjeçares Ajsel, ishte që të kishte një kuzhinë me lavaman që t’i lante enët bashkë me të ëmën, e cila prej 5 vitesh lufton me skamjen dhe mjerimin për të rritur vajzat.

Një histori e dhimbshme, që në episodin e sotëm të “Më thuaj një dëshirë” ka pasur një fund të lumtur. Moderatorja Fjoralba Ponari e ka surprizuar familjen, pasi i ka dhënë çelësat e një shtëpie të re, ku ato do të strehohen derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare.

Emocione të forta për nënën dhe dy vajzat, që thanë se kjo ishte dita më e bukur e jetës së tyre. Eneda, vajza 12-vjeçare, theksoi se gjëja e parë që do të bënte ishte të vendoste disa postera në dhomën e gjumit, ndërsa më e vogla, Ajsel, ka thënë se tashmë do ta ndihmojë edhe më tepër të ëmën me punët e shtëpisë dhe se më në fund, ato do t’i lajnë enët me ujë të ngrohtë.

Top Channel