Presidenti Ilir Meta ka dekretuar shpalljen e 4 ligjeve, që synojnë krijimin e lehtësirave për qytetarët e disa kategorive, në marrjen e shërbimeve.
Kështu, Meta ka dekretuar aktin normativ për ndryshimin e ligjit “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar’”. Po ashtu, ai dekretoi ligjin “Për një shtesë në ligjin ‘Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë’, të ndryshuar’”.
Presidenti argumenton se të dyja këto nisma, si shtyrja e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që u përfundon ky afat brenda vitit 2020, ashtu dhe lehtësimi nga detyrimi për shtetas të moshës mbi 75 vjeç për të rinovuar këtë dokument, përbëjnë një lehtësim më shumë për qytetarët në aplikimin dhe pajisjen me letërnjoftimin elektronik, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, si dhe reduktojnë kostot për të moshuarit.
“Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për të informuar qytetarët mbi këto lehtësi”, u shpreh presidenti.
Meta dekretoi po ashtu ligjin “Për një ndryshim në ligjin “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë””.
Edhe kjo nismë, sipas tij, lehtëson aplikimet e operatorëve ekonomikë, duke mundësuar marrjen e licencave/autorizimeve dhe certifikatave që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve edhe përmes aplikimeve on- line.
Së fundi, Meta dekretoi edhe ligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme””.
“Ky ligj ka shtyrë afatin për procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme deri në 31 dhjetor 2020.
Shtetasit apo subjektet juridike që për shkak të pandemisë, nuk kanë patur mundësinë të aplikojnë brenda afatit, tashmë u ofrohet edhe një hapësirë e re kohore për të kryer rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut”, theksoi presidenti Meta.