Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme,pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i linjës 110 kV Unaza e Tiranës”.

Sipas vendimit, shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit,sh.a., (OST).

Pronarët e pasurive të paluajtshme,pronë private, që shpronësohen,kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për pasuritë e llojit “arë”,“ullishte” dhe “pemëtore”,me një vlerë të përgjithshme prej1 378 770.21 lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit,sh.a.,(OST).

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në“Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private  kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit,sh.a.,(OST).

Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit,sh.a.,(OST).

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë, në favor të shtetit dhe në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit,sh.a., (OST) për pasuritë e shpronësuara.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit dhe në përgjegjësi administrimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit,sh.a., (OST) për pasuritë e shpronësuara.