ATSH/ – “Mos kini frikë!”. Është ky mesazhi që përcjell përmes një shkrimi ambasadori i Polonisë në Tiranë, Karol Bachura, duke cituar predikimin e parë të Atit të Shenjtë në nisje të pontifikatit të Gjon Palit II, më 22.10.1978.
Ai shprehet se, “këtë vit përkujtojmë 100-vjetorin e lindjes së Karol Vojtillës, shën Gjon Pali II, ndërsa më 26 gusht është edhe 110 vjetori i lindjes së Agnes Gonxha Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza e Kalkutës, apo thjesht Nënë Tereza. Më 26 gusht është njëkohësisht festa e Shenjtores së Zojës së Bekuar të Çenstohovës, Mbretëreshës polake, nderuar ndër shekuj në sanktuariumin Jasna Gura në Çenstohovë- qendër e pelegrinazhit të katolikëve në Poloni”.
“Me rastin e këtyre datave që mpleksen simbolikisht këtë vit e megjithë përpjekjet globale kundër SARS-COV2, Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë, falë dashamirësisë së autoritetevet të Universitetit katolik në Tiranë Zoja e Këshillit të Mirë, zbuloi bustin e shën Gjon Pali II, vepër e skulptorit të shquar shqiptar, mjeshtrit Mumtas Dhrami, të cilit me këtë rast pata nderin t’i dorëzoj medaljen Gloria Artis, akorduar nga zëvendës kryeministri dhe ministri i kulturës dhe trashëgimisë kombëtera të Republikës së Polonisë”, nënvizon ai.
“Deri më sot mjeshtri Mumtas Dhrami ka realizuar 10 vepra kushtuar polakëve të shquar, të cilat janë vendosur në vende të ndryshme në kryeqytet, por edhe jashtë tij: vepra kushtuar shën Gjon Pali II, presidentit të ndjerë Lech Kaczyński, profesor Stanisłaë Zuber, ish kryeministrit Tadeusz Mazoëiecki”, thotë ai.
“Në bazamentin e bustit duket mbishkrimi Non abbiate paura/Nie lękajcie się/Mos ki frikë. Janë fjalët që shenjuan predikimin e parë të Atit të Shenjtë në nisje të pontifikatit të Gjon Palit II, më 22.10.1978. Ato fjalë u bënë lajtmotiv i mësimeve dhe gjithë veprimtarisë së Papës dhe, jam i bindur do të marrin kuptim, frymëzojnë dhe do t’u japin shpresë pacientëve të ardhshëm të spitalit dhe do t’u japin krahë zhvillimit të studentëve të këtij universiteti”, shkruan Bachura.
“Gjon Pali II në një intervistë të vitit 1994, botuar në formë libri me titull Të kapërcesh pragun e shpresës, konstatonte: “Thirrjen Mos ki frikë duhet ta lexojmë në një dimension shumë të gjerë. Në një farë kuptimi ka qenë një thirrje drejtuar të gjithë njerëzve, thirrje për të mposhtur frikën në situatën globale të botës së sotme, qoftë në Lindje, qoftë në Perëndim, në Veri, apo në Jug. Mos kini frikë nga ajo që keni krijuar vetë, mos kini frikë nga bota e gjithë këtyre krijesave njerëzore që gjithnjë e më shumë po bëhen kërcënim për njeriun. Përfundimisht mos kini frikë nga vetvetja!”, nënvizon ambasadori polak
“Në qendër të aktivitetit të shën Gjon Palit II ka qenë përherë lufta për dinjitetin njerëzor në të gjitha aspektet e tij. Nga dinjiteti, si nga trungu i rrënjëve kristiane të kontinentit, kanë dale degë të reja: dialogu, solidariteti, liria dhe e vërteta, drejtësia dhe dashuria. Në kohët e sotme të koronavirusit, frikës dhe zvetënimit të vlerave, beteja për dinjitetin njerëzor dhe mbrojtja e njerëzimit në çdo situatë janë të gjithëpranishme. Andaj kam zgjedhur fjalët Mos ki frikë, sepse është e palejueshme t’i dorëzohemi frikës, nuk duhet të pajtohemi me atë që ekziston sot dhe, duke kujtuar ato fjalë që janë thirrje për ndryshim të përhershëm, të luftojmë për të mësuar të vërtetën mbi botën, veçanërisht të vërtetën për veten tonë, për dashurinë për të afërmin”, thekson Bachura.
“Duke falënderuar gjithë ata që janë në vijën e parë të luftës me korovirusin: mjekët, infermieret, gjithë personelin mjekësor, policët dhe ushtarakët, mjekët e shërbimit parësor, u bëj njëherësh thirrje të demonstrojnë dashuri dhe empatii, para së gjithash të largojnë tek njerëzit çdo shenjë Falënderoj autoritetet e universitetit, posaçërisht Hirësinë e Tij, Rektorin dhe Profesorin Bruno Giardina si dhe kryetarin e Bordit të universitetit dhe Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë, Daniele Bertoldi, që na mundësuan vendosjen e bustit të shën Gjon Palit II në mjediset e universitetit”, shkruan ai.
“Planet e ceremonisë ishin të tjera nga ato që na dikton pandemia e sotme, ndaj ato mbeten të thjeshta, por gjithsesi dinjitoze. Papa Gjon Pali II, edhe më herët si peshkopi Karol Vojtilla, gjithmonë është ndjerë mirë në mesin e të rinjve. Jam i bindur që universiteti katolik është vend që do t’i pëlqente shumë”, përfundon ambasadori i Polonisë në Tiranë, Karol Bachura.
Edhe presidenti Ilir Meta vlerësoi figurën e papa Gjon Pali II.
“Shenjtëria e tij, Papa Gjon Pali II do të kujtohet si Papa që mbajti gjallë shpresat dhe besimin tek Zoti ndër popujt e Europës Lindore si dhe ndikoi në rënien e dikaturave komuniste në këtë pjesë të kontinentit tonë”.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh sot i nderuar që mori pjesë “në ceremoninë e vendosjes në ambjentet e Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, të bustit të Papa Gjon Pali II, kësaj ikone të lirisë së besimit të popujve në mbarë botën”.
Meta tha se, “vizita e tij e paharruar në Shqipëri në vitin 1993, ishte bekim i madh dhe një sinjal shprese për një të ardhme më të mirë dhe besim tek Zoti, për vendin i cili sapo ishte çliruar nga zgjedha më e eger komuniste”.
“Ne shqiptarët do t’i jemi gjithmonë mirënjohës, edhe për rolin e tij në mbështetje të shenjtores dhe ikonës tonë kombetarë, Nënë Tereza, në këtë përvjetor të 110 të lindjes së saj”, u shpreh Meta.