Policia e Qarkut Durrës ka ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, administratorin e një lokali, pasi u konstatua se organizonte ceremoni martesore në mënyrë të përsëritur, në kundërshtim me Aktin Normativ.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në fshatin Verjon, Nikël, Fushë – Krujë, një lokal që organizonte ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ, në mënyrë të përsëritur.

Për këtë subjekt me administrator shtetasin D. Ç., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore.

Policia e Durrësit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. D., 34 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Ky shtetas ka kundërshtuar dhe ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, në lagjen Nr. 1, Durrës.

Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ndaluan shtetasin në kërkim S. Ç., 51 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin G. M., 44 vjeç dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin E. M., pasi shtetasi G. M., duke drejtuar mjetin tip Volkswagen është përplasur me mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. M. dhe më pas janë konfliktuar duke goditur me grushte njëri – tjetrin.

Nga përplasja e mjeteve janë shkaktuar dëme materiale.Pas testit të alkoolit u konstatua se shtetasi G. M. ishte në gjendje të dehur. ATSH/