Sot më datë 14 prill 2020, ora 10:00, u mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar projektvendimin “Për disa shtesa në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, të ndryshuar”, nismë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Mbledhja u zhvillua online, me anë të mjeteve të komunikimit elektronik Cisco Webex të instaluar në Kuvend.
Projektvendimi i miratuar shton në Rregullore disa nene të veçanta për rastet e masave të jashtëzakonshme, duke parashikuar zhvillimin e mbledhjeve të Kuvendit dhe të organeve të tij në distancë, nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit si edhe me numër të reduktuar të deputetëve dhe përcakton procedurat e votimit në këto raste.
Në fund, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, tërhoqi vëmendjen për disa aspekte proceduriale të zhvillimit të seancës plenare të datës 16 prill, si kufizimin e kohës dhe numrit të diskutimeve dhe mënyrën e votimit. Për të shmangur mbipopullimin e sallës së seancës, procesi i votimit të akteve ligjore në seancën e datës 16 prill do të zhvillohet nominal dhe me fletë votimi.
Kryetari i Kuvendit porositi anëtarët e Këshillit dhe shërbimet e Kuvendit edhe për disa aspekte praktike të zhvillimit të seancës, kujdesin që duhet të tregojnë për zbatimin e masave mbrojtëse, dezinfektimin e mjediseve, matjen e temperaturës së deputetëve para hyrjes në sallën e seancës, pajisjen e tyre me maska e doreza, etj.
Top Channel