Sot më datë 14 prill 2020, ora 10:00, u mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar projektvendimin “Për disa shtesa në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, të ndryshuar”, nismë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Mbledhja u zhvillua online, me anë të mjeteve të komunikimit elektronik Cisco Webex të instaluar në Kuvend.

Në fillim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, informoi anëtarët e Këshillit se “Komisionet e përhershme parlamentare po funksionojnë online dhe po shqyrtojnë aktet ligjore që janë në rendin e ditës së seancës së ardhshme plenare. Edhe pse në kushte jo të zakonshme, puna e komisioneve ka qenë produktive dhe debati parlamentar nuk ka munguar.”

Projektvendimi i miratuar shton në Rregullore disa nene të veçanta për rastet e masave të jashtëzakonshme, duke parashikuar zhvillimin e mbledhjeve të Kuvendit dhe të organeve të tij në distancë, nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit si edhe me numër të reduktuar të deputetëve dhe përcakton procedurat e votimit në këto raste.

Në fund, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, tërhoqi vëmendjen për disa aspekte proceduriale të zhvillimit të seancës plenare të datës 16 prill, si kufizimin e kohës dhe numrit të diskutimeve dhe mënyrën e votimit. Për të shmangur mbipopullimin e sallës së seancës, procesi i votimit të akteve ligjore në seancën e datës 16 prill do të zhvillohet nominal dhe me fletë votimi.

Kryetari i Kuvendit porositi anëtarët e Këshillit dhe shërbimet e Kuvendit edhe për disa aspekte praktike të zhvillimit të seancës, kujdesin që duhet të tregojnë për zbatimin e masave mbrojtëse, dezinfektimin e mjediseve, matjen e temperaturës së deputetëve para hyrjes në sallën e seancës, pajisjen e tyre me maska e doreza, etj.

Top Channel