Shkolla dhe tregu i punës në Shqipëri nuk janë mirë të integruara me njëra-tjetrën, por studimet tregojnë se në çdo vit shkollë shpërblehet me më shumë të ardhura. Një studim  i ekspertëve të Bankës së Shqipërisë ka gjetur se çdo vit shtesë në arsim formal shoqërohet me një rritje mesatare prej 8.2% të ardhurave te punësuarit nga paga.

Çdo vit shtesë në përvojën e tregut të punës shoqërohet me një rritje mesatare prej 1.7% të të ardhurave nga paga sipas analizës që përfshin periudhën 2002-2012. Ndërsa çdo orë pune në javë shtesë shoqërohet me një rritje mesatare prej 1.1% të të ardhurave. Banka e Shqipërisë që kreu studimin referon se gjatë periudhës në analizë, përvetësimi i një diplome të arsimit fillor shoqërohet me një rritje mesatare të nivelit të pagës mujore prej 14.3%.

Përvetësimi i një diplome të arsimit të mesëm shoqërohet me një rritje mesatare të nivelit të pagës mujore prej 46.8% dhe përvetësimi i një diplome universitare shoqërohet me një rritje mesatare të nivelit të pagës mujore prej 140.4%. Pagat e kategorive te të punësuarve pa arsim formal dhe me arsim fillor shfaqin trend rënës me largim nga mesatarja.

Pagat e të punësuarve me arsim të mesëm kanë tendencë të qëndrojnë tek mesatarja. Pagat e të punësuarve me arsim të lartë paraqiten të stacionuara diku tek 55% mbi mesataren gjatë 2002-2012. Primet e të punësuarve me arsim të mesëm, mbi pagat e të punësuarve me arsim fillor, në Evropë variojnë nga 8% në 78%. Primi i pagës në Shqipëri prej 25%, që të punësuarit me arsim të mesëm e përfitojnë, mbi pagën mesatare të të punësuarve me arsim fillor bën pjesë në intervalin e Evropës.