Pas marrjes së dozave të para të vaksinave AstraZeneca, në vendin tonë ka nisur vaksinim i mësuesve. Deri tani ky proces ka nisur në 41 shkolla ndonëse për shkak se disa vende të BE kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksinë ka pasur hezitim nga shumë mësues.

Ndërsa ndiqte nga afër vaksinimin në Durrës kryeministri Rama tha se pavarësisht se disa vende të BE-së kanë pezulluar vaksinimit me AstraZeneca në shumë vende të tjera ky procesin vijon ndërsa zhvillimet e fundit i cilësoi si luftë tregtare.

“Nuk kanë asnjë faj njerëzit që shqetësohen nga lloj-lloj lajmesh dhe lloj-lloj lëvizjesh që mund të kenë 1001 arsye. Kjo është luftë e madhe për jetën por është edhe luftë e madhe tregtare. Nuk e kanë ndërprerë vaksinimin, Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Kroacia, Serbia, Kanadaja, Belgjika kishte konfirmuar sot prapë që do të vazhdojë, sepse nuk ka asnjë evidencë shkencore dhe nuk mund të ndalojmë vaksinimin thjeshtë për një dyshim që lidhet me një seri tjetër dhe të gjithë, edhe pjesa që ka bërë pezullimin, po presin konfirmimin e OBSH dhe të EMA, që deri tani ka konfirmuar vetëm vlerën e vaksinës dhe kur të thonë ndalojani do e ndalojmë”, deklaroi Rama.

Bashkë me kryeministrin në Durrës ishte dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila bëri me dije se Komiteti Kombëtar i Vaksinimit dhe Komiteti i Imunizimit po vlerësojnë situatën në dinamikë.

“Ne po tregohemi të kujdesshëm, Komiteti i Vaksinimit do të mblidhet periodikisht, për të vlerësuar situatën, por ne do të presim vendimin e OBSH-së dhe EMA-s”, theksoi Manastirliu.

Sipas shefes së Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, nuk ka të dhëna shkencore që konfirmojnë lidhjen shkak-pasojë, në lidhje me efektet e vaksinës AstraZeneca.

“Edhe Agjencia Rregullatore e Mbretërisë së Bashkuar, që është një agjenci tepër strikte dhe që ka administruar me miliona doza apo agjencitë rregullatore të Kanadasë dhe Australisë që po e lejojnë vijimin e vaksinimit, janë agjenci të cilat japin një lloj sigurie më shumë. Por edhe gjatë procesit në vend, që nga e shtuna dhe deri tani, procesi ka ecur mirë, nuk ka pasur efekte anësore. Natyrisht që ka një lloj hezitimi nga gjithë publikimet që bëhen në media”, theksoi Bino.

Deri tani në vendin tonë janë kryer rreth 30 mijë vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit në të gjithë vendin. Në Shqipëri kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina Pfizer dhe AstraZeneca.