ATSH/- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh sot se ligji për “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, është ligji më i rëndësishëm i financave publike dhe si i tillë çdo ndryshim që behet në këtë ligj, merr një rëndësi të veçantë”.
Denaj tha se, ky ligj u miratua për herë të parë në vitin 2008 dhe ndër vite, ligji ka pësuar tre ndryshime themelore për përfshirjen e disa rregullave fiskalë në përmirësim të strukturës së vlerësimit të financave publike dhe një sërë rregullimesh të tjera.
Por sot, theksoi ministrja, paraqesim dy ndryshime që synojnë përmirësimin e funksionimit të legjislacionit bazë të buxhetit të shtetit dhe mbarëvajtjen e financave publike në situata normale dhe të jashtëzakonshme.
“Amendimi i parë i propozuar ka të bëjë me raportin e deficitit të përgjithshëm fiskal me shpenzimet për investime publike që është një tregues fiskal shumë i rëndësishëm për shëndetin e financave publike”- tha Denaj.
Ministrja theksoi se, qeveria Rama, e gjeti deficitin në nivelin e -5% dhe e uli atë deri në -1.9% vitin e shkuar. Në situata të jashtëzakonshme dhe kur nevojat e qytetarëve kërkojnë zbatimin e politikave fiskale ekspansioniste, buxheti i shtetit duhet të jetë në gjendje të amortizojë efektet e papritura.
“Propozimi për të marrë në konsideratë situatat e jashtëzakonshme, duke lejuar devijim e përkohshëm prej rregullit të theksuar, eleminon barrierat ligjore për përdorimin e buxhetit si instrument stabilizues, amortizues e goditjeve, në raste të tilla. Një klauzolë e tille përjashtuese është parashikuar për rregullin kryesor fiskal, atë që obligon uljen e përvitshme të borxhit publik, por nuk ishte parashikuar për këtë rregull”- deklaroi Denaj.
Së dyti, theksoi ajo gjatë fjalës së saj në Kuvend, krahas rregullit fiskal kryesor që obligon uljen e përvitshme të borxhit ndaj PBB, qeveria propozon përfshirjen e një rregulli tjetër fiskal i cili vendos si ankorë të përvitshme një limit të poshtëm të balancës primare të buxhetit të shtetit.
Sipas saj, balanca primare e buxhetit është një parametër shumë i rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishmi përsa i përket qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike.
Historikisht, që prej viteve ’90 e në vijim, balanca primare, ka rezultuar pothuajse në çdo vit (përveç vitit 2010) me një rezultat negativ, pra kemi pasur pothuajse gjithmonë një deficit primar, – tha Denaj, ndërsa shpjegoi se, “si pasoje e politikes se vazhdueshme për përmirësimin e indikatorëve makroekonomikë dhe reduktimit te borxhit publik, edhe shpenzimet publike që shkojnë për shlyerjen e interesave të kredive të marra në vitet e shkuara ka pësuar një ulje domethënëse”.
Sipas saj, nëse në vitin 2013, buxheti i shtetit do të paguante rreth 3.2% të PBB për pagesa interesi, në 2019 pagesat e interesit zinin rreth 2.1% të PBB, pra 1.1% e PBB më pak se në 2013. Mbi 70% e portofolit të borxhit shtetëror përbëhet nga instrumente me norma interesi fikse – duke shmangur riskun e luhatjeve te tregut dhe shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror ndaj të ardhurave tatimore dhe PBB, gjatë viteve të fundit kanë ndjekur një trajektore rënëse.
Denaj theksoi se “angazhimi i qeverisë ishte që çdo vit të arrihej një balancë primare pozitive, edhe pse ai nuk ishte akoma një objektiv i sanksionuar me ligj. Ky trend pozitiv i krijuar që prej 2016 u përball, me dy goditje të forta nga tërmeti që vendi dhe ekonomia mori në Nëntor të 2019, dhe nga pandemia. Rrjedhimisht balanca primare nga pozitive që ishte edhe vitin që shkoi tashmë pritet të jetë negative, politikë fiskale kjo e cila amortizon në një masë të qenësishme impaktin e goditjeve në ekonomi”.
Qeveria Shqiptare parashikon rikthimin në një balancë primare pozitive që në vitet 2022-2023, u shpreh Denaj.
Ndërsa theksoi se, për të siguruar në vazhdimësi zbatimin e një rregulli që sanksionon disiplinë fiskale, propozohet që duke filluar nga viti buxhetor 2023 e në vijim, pra pasi të kalohet kjo periudhë e vështirë nga dy goditjet, balanca primare të jetë jo më e vogël se sa zero, pra nuk duhet të jetë negative.
Konsolidimi i vijuar fiskal i financave publike është synim i qeverisë në mbarim me sukses të përballimit të situatës nga pandemia. Dhe në këtë kuadër, dy ndryshimet e propozuara i vënë pikërisht theksin, angazhimit të mëtejshëm dhe të strukturuar të qeverisë drejt financave publike të shëndosha për vendin, deklaroi Denaj. e.xh/ /a.g/