Rumania përsërit zgjedhjet presidenciale për shkak të ndikimit të dyshuar rus në TikTok; në platformën X, Elon Musk bën reklamë për AfD-në. A po e ndryshojnë mediat sociale demokracinë?
Më 23 shkurt 2025 zhvillohen në Gjermani zgjedhjet parlamentare. Për multi-miliarderin dhe të besuarin e Trump, Elon Musk, është e qartë se zgjedhjet parlamentare duhet t’i fitojë AfD-ja, parti e cila nga Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës klasifikohet pjesërisht si ekstremiste e djathtë. Vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë, shkroi Musk në platformën e tij të internetit X. Ai i ofroi udhëheqëses së AfD-së, Alice Weidel, edhe mundësinë për të zhvilluar një diskutim në platformën X. Në mediat sociale gjermane, AfD-ja konsiderohet si partia më aktive, sidomos në platformën kineze të mediave sociale TikTok. Videot me pozicionet e AfD-së shihen në TikTok nga qindra-mijëra vetë.
Sipas ekspertit për politikë dhe komunikim, Johannes Hillje, në vitin 2022 dhe 2023 çdo video e AfD-së është parë mesatarisht më shumë se 430,000 herë. Për krahasim: në vend të dytë renditen videot e grupit parlamentar konservator CDU/CSU – me një mesatare prej rreth 90,000 shikimesh.
A favorizojnë mediat sociale partitë e djathta?
Jo, thotë Andreas Jungherr, profesor i Shkencave Politike dhe Transformimit Digjital në Universitetin Otto-Friedrich në Bamberg. “AfD-ja ka shumë kohë që është aktive në mediat sociale.” Ajo ka mësuar se cila qasje funksionon atje.
Ky është një avantazh i qartë për sa i përket diapazonit të shikueshmërisë – por vetëm kjo nuk garanton suksesin zgjedhor, thotë Jungherr. Kjo duket qartë në fushatën e kandidates për president të SHBA-së, Kamala Harris, e cila pati sukses të madh në rrjetet sociale. Por siç e dimë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të sjellë atë në Shtëpinë e Bardhë.
Ç’ndikim kanë mediat sociale tek vlerat dhe bindjet?
Të ashtuquajturat “flluska të filtruara” lindin në hapësirën online, sepse rezultatet e kërkimit ose përmbajtja janë të personalizuara. Algoritmet e ofruesve të shërbimeve online përcaktojnë ato që na shfaqen në internet. Në mediat sociale një algoritëm u jep përparësi përmbajtjeve të personaliteteve të njohura ose përmbajtjeve që kanë pëlqyer ose komentuar shumë përdorues të tjerë. Nga ana tjetër algoritimi mund të mos shfaqë më fare përmbajtje të caktuara, nëse ato janë injoruar shpesh.tch