Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin për ndryshimin e masave për mbrojtjen nga COVID-19. Sipas masave të reja të Qeverisë së Kosovës, qytetarëve në komuna me rrezik të lartë nga përhapja e infeksionit u ndalohet lëvizja nga ora 21:30 deri në orën 05:00.

Këtu përfshihen Prishtina, Fushë-Kosova, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Obiliqi, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, sipas rangimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë më 8 janar. Në këto komuna deri më tani qytetarëve iu ishte ndaluar lëvizja nga ora 20:00.

Po ashtu, në këto komuna, operatorët ekonomikë, qendrat tregtare dhe shërbimete gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në 21:00.

Në komunat me rrezik të mesëm dhe të ulët nuk është e kufizuar lëvizja e qytetarëve, kurse puna për operatorët ekonomikë, tregtarë dhe gastronominë është e kufizuar deri në ora 22:00.

Komunat me rrezik të mesëm janë: Mitrovica e Jugut, Ferizaji, Lipjani, Podujeva, Vushtrria, Parteshi, dhe Juniku, kurse tjerat i përkasin atyre me rrezik të ulët.

Personave mbi moshën 65 vjeç në krejt komunat iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 06:00 – 10:00 dhe 16:00 – 19:00.