TIRANË, 19 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Operacioni Forca e Ligjit po vazhdon me sukses dhe janë me dhjetra vendime që janë dhënë tashmë për konfiskim të pasurive të krimit që do të jepen për përdorim publik”, deklaroi sot nga Fieri, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Lleshaj zhvilloi sot një takim në Fier, me kryetarët e bashkive, të zgjedhur dhe përfaqësues vendorë të qarkut Fier, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT-së, me fokus masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik, luftën antikanabis, mbrojtjen e mjedisit dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.
Në fjalën e tij, Lleshaj vuri në dukje se “po zbatohet me shumë sukses Operacioni Forca e Ligjit, që synon të godasë asetet kriminale”.
“Rezultatet janë inkurajuese. Gjykata e posaçme ka filluar të japë me dhjetra vendime dhe ky proces do të vazhdoj me intensitet të shtuar të kontribuojë për të shteruar burimet e krimit”, tha Lleshaj.
Ai tha se “krimi nuk mund të jetë një biznes”. “Janë dhënë vendimet e para për sekuestrime vilash etj, që do t’i kalojnë publikut, do bëhen shkolla, qendra sociale”, tha ai, duke shtuar se ky është një mesazh i rëndësishëm për këdo në botën e krimit, të cilëve u bëhet e ditur se nuk mund t’i gëzojnë këto asete nga krimi.
Duke folur për luftën kundër kultivimit të kanabisit në Shqipëri, Lleshaj tha se “kjo është një njollë që i është vënë këtij vendi para shumë dekadash dhe tani po vjen në zbehje”.
“Ne kemi detyrë dhe angazhim para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve europianë që na mbështesin që këtë njollë ta zhbëjmë njëherë e përgjithmonë, sepse kanabisi ilegal prodhon krim të vazhduar, është gjenerator e burim kriminaliteti”, tha Lleshaj.
Ministri tha se “krimi nuk mund të luftohet duke i prerë degët por duke i prerë rrënjët, dhe një prej rrënjëve është kanabisi”. “Janë fuqizuar ekonomikisht individë apo grupe kriminale dhe të gjitha këto sjellin dëme të jashtëzakonshme sepse prodhojmë krim dhe dëm për imazhin e vendit. Angazhimi ynë është thellimi i luftës kundër krimit përditë”, tha ai.
Lleshaj foli gjithashtu edhe për krimet mjedisore, duke theksuar se “kërcënimi ynë kryesor është dëmi që ne i bëjmë mjedisit tonë, ajrit, ujit, tokës”.
“Mbrojtja e tyre nga krimi mjedisor është detyrë e rëndësishme e Ministrisë së Brendshme. Ne kemi zhvilluar programe të sakta e precize lidhur me masat që duhen marrë ndaj parandalimit të krimit mjedisor që prodhon dëme më të mëdha se krimet e tjera. Dëmi që vjen nga krimi mjedisor është shumë herë më i lartë vetëm se nuk perceptohet nga të gjithë në kohën e duhur”, tha Lleshaj.
Ndaj ai nënvizoi nevojën për të ndaluar me çdo mjet këtë fenomen ende prezent në Shqipëri.
Duke folur për masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Lleshaj tha se “këtë vit duhet të fokusohemi te cilësia”.
“Qarku i Fierit ka një ofertë turistike me larmi të jashtëzakonshme që fillon nga trashëgimia e madhe historike si Apoloni dhe pastaj asetet e jashtëzakonshme të potencialit natyror si Karavastaja, Divjaka, lagunat etj. Ky është një potencial i gjeneruar natyror që ka marrë jetë falë masave të jashtëzakonshme që janë marrë këto vite për mbrojtjen e natyrës, që kanë dhënë një rezultat spektakolar në rigjallërimin e florës e faunës”, tha Lleshaj.
Nga ana tjetër, Lleshaj siguroi se “do të kontribuojmë ndjeshëm për të kompensuar dëmin e kësaj pandemie botërore, që si kudo ka lënë gjurmë edhe në Shqipëri”.
Turizmi, sipas tij, “është një instrument që do të na ndihmojë në këtë drejtim”. “Kalova në unazën e re të përfunduar dhe ky është vetëm një ndër investimet që i japin qarkut një potencial tjetër”, tha Lleshaj.
Ai theksoi po ashtu nevojën për të menaxhuar me kujdes fazën e hapjes në kushtet e COVID-19, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve dhe bizneseve që ofrojnë shërbime.
ATSH