Rivlerësimi i pronave do të shtyhet me 3 muaj. Shkak për këtë shtyrje është bërë pandemia COVID-19, pasi gjatë më shumë se dy muaj karantinë procesi i rivlerësimit thuajse nuk ka funksionuar për shkak se shumë aktivitete u mbyllën, qarkullimi u mbyll, po ashtu edhe sportelet e administratës pjesërisht u mbyllën për të mos lejuar përhapjen e COVID-19. Burime nga Agjencia e Kadastrës pohojnë se drafti që do të miratohet në qeveri, synon shtyrjen e rivlerësimit deri më 31 dhjetor 2020.
Personat e interesuar për të bërë rivlerësimin e pronës së tyre do të paguajnë si tatim 3% të diferencës mes çmimit me të cilin është blerë një apartament apo një pronë tjetër e paluajtshme dhe atij me të cilin do ta shesin atë, nga 15% që është normalisht. Ndërsa për personat juridikë tatimi është në masën 5%. Rivlerësimi është një proces që përafron vlerën e pasurisë me çmimin aktual të tregut, bëhet vullnetarisht nga qytetarët brenda një afati të caktuar kohor, duke iu krijuar mundësinë që tatimi që i paguhet shtetit në rast të një shitjeje, të jetë shumë më i vogël.
Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh dhe qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro. Ndërsa me këtë ndryshim ligjor në momentin e shitjes ai nuk paguan më këtë vlerë por vetëm 600 euro, sepse tatimi që paguan pas rivlersimit zbret në 3%. Procesi i rivlerësimit ka nisur javën e dytë të muajit shkurt të këtij viti dhe pritej të mbyllej në 30 shtator.
Nga ky rivlerësim do të kenë mundësi të përfitojnë 50 mijë pasuri, dhe që efekti pozitiv në buxhetin e shtetit pritet të jetë 6 miliardë lekë. Për shtyrjen e këtij procesi kërkesë bëri edhe Komisioni i Ekonomisë, propozim që u pranua nga Ministria e Financave.
Rivlerësimi i pronave do të shtyhet me 3 muaj. Burime nga Agjencia e Kadastrës pohojnë se drafti që do të miratohet në qeveri, synon shtyrjen e rivlerësimit deri më 31 dhjetor 2020