Elbasani njihet si një prej qendrave të kulinarisë shqiptare. Ai është një nga qytetet ku arti i amvisave është ruajtur me fanatizëm, duke krijuar një buqetë të vërtetë gatimesh të shijshme. Pasi të lexoni listën më poshtë, do të kuptoni se disa nga pjatat apo gatimet më të mira në vend prejardhjen e kanë pikërisht nga Elbasani!
Ballokumet
Çdokush në Shqipëri e di se kremtimet verore lidhen pashmangshmërisht me ballokumet e qytetit, një ëmbëlsirë e shijshme tradicionale e gatuar me shumë mundim. Ballokumja është një biskotë e madhe që prodhohet me miell gruri ose misri me një përbërje të konsiderueshme sheqeri që justifikon arsyen pse ëmbëlsia personifikon Festën e Verës. Përgatitja është një sfidë e vërtetë për amvisat, të cilat duhet të respektojnë rigorozisht një rradhë të përzierjes së përbërësve që në shumicën e rasteve bashkohen vetëm me lugë druri në një enë që tradita e kërkon të jetë prej metalit të bakrit.
Tavë Kosi
Lindi në Elbasan por e përdor e gjithë Shqipëria! Është tava e kosit, një gatim i famshëm delikat i cili përgatitet vetëm me mishin e bagëtive të imta. Sekreti i kësaj pjate qëndron tek marinimi i mishit dhe përzierja e erëzave me të cilat lyhet mishi. Fillimisht mishi piqet në furrë vetëm, sa për të marrë një ngjyrë dhe për të lëshuar lëngun e zierjes së parë. Më pas, laget bollshëm me lëngun që përgatitet nga përzierja e vezëve, miellit dhe sasisë së konsiderueshme të kosit e piqet përsëri. Nëse shkoni në Elbasan mund ta gjeni këtë pjatë të mrekullueshme e gjithë shije kremoze në stinën e pranverës dhe të verës.
Bugaçet
Brumi është një nga përbërësit kryesorë të gatimeve tradicionale të Shqipërisë së Mesme. Bugaçet, bukë të holla me forma të ndryshme, mbeten një nga ushqimet e preferuara në rrethinat e Elbasanit për të nisur mëngjesin. Brumi i tyre përgatitet me miell gruri, ujë e kripë, e punohet me duar deri sa masa bëhet gati për tu ndarë në toptha të vegjël. Në masën e tyre brumore mund të shtosh çdo përbërës që të ndodhet në frigorifer e më pas, kuleçët ripunohen duke i kthyer në petë e pjekur me gjalp. Bugaçet i shtojnë tryezës së mëngjesit një gatim tradicional shumë të shijshëm.
Qulli me arra
Tryezat e festave gjatë vitit në Elbasan janë të pasura në gatimin e mishit të shpezëve ose të gjedhëve. Qulli i arrave, një gatim tradicional i hershëm i zonës, kryesisht përdoret gjatë festave elitare të vitit. Mishi i gjelit është përbërësi kryesor por e fshehta e qullit të arrave qëndron tek pjekja e lëngut të mishit të gjelit, arrave, hudhrave, uthullës dhe miellit në tava të vogla balte, të cilat ruajnë temperaturën e gatimit të njëtrajtshme e sigurojnë që shija të mos humbasë. Amvisat e Elbasanit vendosin mbi tryezën e festës tavat e vogla të pjekura bashkë me copat e gjelit të pjekur për mikpritjen e miqve.
Tava me pistil
Në ditët e ftohta të dimrit, kulinaria tradicionale e Elbasanit të kënaq me tavën me pistil, një gjellë tipike dimërore që përgatitet me mish qingji ose dashi, sërish në tavë balte. Tava e baltës garanton suksesin e kësaj pjate tradicionale që gatuhet nga zierja e mishit, e qepës, piperit të kuq, hudhrave dhe lëngut të kumbullave. Shija e athët e kumbullave dhe ëmbëlsia e mishit të qingjit apo dashit janë një kombinim i përkryer. E bukur është edhe ngjyra që ka marrë gjatë pjekjes mishi dhe qulli i kumbullave të athëta.
Mysnik me Kalastre
Orizi i Elbasanit i përgatitur me mishin e shpendëve quhet ndryshe Mysnik me Kalastre. Kalastre është një fjalë e ardhur nga turqishtja dhe përdoret për mishin e shpendëve shtëpiakë. Amvisat ziejnë më parë mishin e pastruar dhe me lëngun e përftuar bashkojnë orizin, erëzat aromatike dhe gjalpin. Sekreti është se i gjithë gatimi përfundon në furrë druri! Mysniku i Elbasanit, ndryshe nga gatimet e ngjashme në Shqipërinë e Mesme, nuk përfshin qepë apo hudhra. Mysniku është pjatë kryesore në shtëpitë e elbasanllinjve, por edhe në menutë e restoranteve të qytetit.
Into Alb