Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ishte në Ndroq për të ndjekur nga afër zbatimin e masave antiCOVID, procesin mësimor, si dhe për të shpërndarë tableta digjitale për nxënësit e klasave kolektive.

“Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ymer Kurti” në Ndroq të Tiranës janë një dashuri e vërtetë. Të zgjuar, të sjellshëm dhe për më tepër shumë të ndërgjegjshëm në respektimin e masave antiCOVID. Bashkë me deputetin Arben Pëllumbi i takuam dhe u shpërndamë tableta digjitale që të kenë më shumë mundësi të përforcojnë njohuritë e tyre mësimore”, njoftoi Kushi.

Njëkohësisht, ajo nuk lë pa shprehur mirënjohje të sinqertë edhe për mësuesit, të cilët janë çdo ditë në frontin e sakrificës dhe shërbejnë me përkushtim për edukimin e fëmijëve.

“Gjithëpërfshirja në arsim është një nga shtyllat bazë për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe në fokus të vazhdueshëm. Ky proces u mundëson kushte të ngjashme të gjithë nxënësve, pa përjashtim nga aftësitë apo karakteristikat e tjera, që të vijojnë mësimin në kushte sa më optimale”, tha Kushi.