ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon mbështetjen për sektorin blegtoral përmes Skemës Kombëtare 2026, duke ofruar financim për ndërtimin ose rikonstruksionin e staneve, si dhe për blerjen e pajisjeve që përmirësojnë kushtet e punës në fermë.
Sipas Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), masa e mbështetjes parashikon financim në masën 70% të vlerës totale të faturave tatimore, me një vlerë maksimale prej 3 milionë lekësh për çdo subjekt përfitues.
Përfitues të kësaj mase mund të jenë fermerët individualë, subjektet me status fizik ose juridik, si dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor.
Kjo mbështetje synon të nxisë investimet në infrastrukturën blegtorale, të përmirësojë standardet e prodhimit dhe të rrisë efikasitetin e fermave, duke krijuar kushte më të mira pune për fermerët dhe mbarështuesit e bagëtive.
AZHBR fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë pranë Agropikave dhe zyrave të Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ndërsa asistencë ofrohet edhe përmes numrit të gjelbër 0800 83 83.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 26 qershor 2026, njofton AZHBR-ja.
/e.xh/a.f/



























