Vijon të thellohet hendeku ekonomik sa i përket të ardhurave për frymë në vendin tonë, me Elbasanin dhe Kukësin që janë dy ndër qytetet më të prekura. Braktisja e vendit nga të rinjtë dhe papunësia, shihen nga qytetarët si arsyet kryesore të problemeve ekonomike

Hendeku i të ardhurave për frymë vijon të thellohet në vendin tonë. Kryeqyteti është në vend të parë për mirëqenien, pasi aty është përqendruar edhe veprimtaria më e madhe ekonomike, ndërsa qytetet më problematike janë kryesisht zonat veriore. Të ardhurat mesatare për frymë në vendin tonë në vitin 2018, kanë qenë në nivelin e 571 mijë lekë, por në disa qarqe të vendit një vlerë e tillë është e pamundur për tu realizuar.

Ndërkohë Kukësi rezulton si vendi më i varfër, ku të ardhurat për frymë janë vetëm 10 mijë lekë më shumë se paga minimale në vend. Konkretisht, sipas këtij raporti në vitin 2018, të ardhurat për frymë në qarkun e Kukësit ishin 362 mijë lekë. Një nivel i tillë është 36.6 % nën mesataren e vendit. Më pas renditet qarku i Elbasanit me rreth 398 mijë lekë duke qenë 30,3 % nën mesataren e vendit. Qytetarët e Elbasanit të intervistuar nga Tv Skampa shprehen se situata ekonomike ka qenë e ulët, por pandemia e Covid 19 e thelloi edhe më shumë atë, ndërkohë që shkak është bërë jo vetëm papunësia, por edhe braktisja e vendit nga të rinjtë.

Një nivel kaq i ulët i të ardhurave në këto dy qarqe, lidhet edhe me faktin që punësimi në Kukës dhe në Elbasan është i përqendruar më së shumti tek bujqësia. Konkretisht për vitin 2018 në Elbasan 67% e personave punojnë në bujqësi, ndërsa në Kukës janë mbi 64% e qytetarëve që punojnë në këtës ektor. Edhe për vitin 2019, sipas të dhënave të INSTAT, e njëjta ndarje vijon të ekzistojë, ku në Kukës 68% e forcës punëtore është përqendruar në bujqësi dhe në Elbasan 64%./elbasaninews