Humb betejën me Covid një tjetër zyrtar, në vendin tonë. Pjesë e stafit të bashkisë në Librazhd, prej vitesh punonte në zyrën e Urbanistikës së këtij qyteti, Veli Dashi, ka ndërruar jetë pasditen e kësaj të diele.

“Sërisht virusi tinzar godet rëndë Qytetin, Bashkinë tonë dhe më gjerë, duke ndarë përgjithmonë nga gjiri i familjes, nga administrata, nga rrethi i gjerë shoqëror e miqësor, njeriun, që për 40 vjet i dha komunitetit mundin, djersën, përkushtimin, idetë, vizionin për një qytet me petspektivë urbane dhe të bukur”, – u shpreh Bashkia e qytetit të Librazhdit, përmes një mesazhi ngushëllimi.

Kujtojmë se më herët ishte i infektuar edhe kreu i kësaj bashkie, Kastriot Gurra.

Njoftimi i plotë i ngushëllimit nga Bashkia e Librazhdit, për të ndjerin Veli Dashi:

Është shumë e rëndë, për mbarë Qytetin dhe Bashkinë tonë, humbja e njerit prej urbanistëve më të vjetër në detyrë, z.Veli Selim Dashi: ai, fatkeqësisht, nuk mundi ta fitojë betejën me Covid 19.

Sërisht virusi tinzar godet rëndë Qytetin, Bashkinë tonë dhe më gjerë, duke ndarë përgjithmonë nga gjiri i familjes, nga administrata, nga rrethi i gjerë shoqëror e miqësor, njeriun, që për 40 vjet i dha komunitetit mundin, djersën, përkushtimin, idetë, vizionin për një qytet me petspektivë urbane dhe të bukur.

U bë një kohë e gjatë që vdekjen e kemi pranë: bashkëjetojmë me të. Kemi aplikuar protokolle, kemi përshtatur rregulla të vjetra, kemi konceptuar rregulla të reja në përputhje me situatën pandemike, duke qenë sa më të kujdesshëm dhe të mençur me armikun e padukshëm. Por u dashka të jemi më shumë të tillë, sepse Covid 19, si të gjitha pandemitë, qenka total, i verbër, i pamëshirshëm, si për rastin e të ndjerit Veli Selim Dashi, edhe për raste të tjera, që na dhembin aq shumë.

I ndjeri Veli Dashi do të na mungojë fizikisht, por ai do të mbetet i gjallë në kujtesën qytetare, si një urbanist dhe administrator i denjë, model i korrektësisë, përkushtimit dhe kujdesit në marrëdhënie me qytetarët. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij…!/