Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini njofton se Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e institucionit që ajo drejton për të mbuluar me libra falas të gjithë nxënësit që vijnë nga situata të brishta socio-ekonomike deri në klasën e 12-të.
“Nxënësit romë dhe egjiptianë, sikurse nxënësit me aftësi të kufizuara apo nxënësit përfitues të asistencës sociale – grupe tashmë të përfshira në skemën e librave falas – kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme. Kjo na brengos akoma më shumë tani që gjendemi në situatë pandemie. Por me vendimin e sotëm, në kuadër të politikave gjithëpërfshirëse arsimore, ne do të ulim më tej koston e familjeve për shkollimin e fëmijëve të tyre dhe do të përmirësojmë më tutje qasjen e nxënësve në arsim”, shprehet Shahini.
Ndër të tjera, ministrja thekson se kësaj skeme përfituese i shtohen të gjithë nxënësit e klasave të 6-ta dhe 7-ta duke arritur në 250 mijë numrin e nxënësve përfitues.
“Përkundër presionit të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë COVID-19 që rëndon mbi buxhetin publik, politikat që sigurojnë gjithëpërfshirje në arsim i kemi mbrojtur dhe do t’i mbrojmë gjithmonë”, mbyll postimin Besa Shahini.