ATSH/ Në vendin tonë ka çelur dyert Shkolla Kombëtare e Fluturimit, duke shënuar një etapë të re në modernizimin e Forcës Ajrore Shqiptare dhe në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit sipas standardeve të NATO-s.

Kryeministri Edi Rama gjatë shënimeve të javës e cilësoi këtë nismë si një hap të rëndësishëm në procesin e transformimit të Forcave të Armatosura shqiptare.

Sipas tij shkolla e re do të shërbejë për trajnimin dhe certifikimin e pilotëve ushtarakë, duke hapur dyert edhe për kadetë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe nga vende të tjera anëtare të NATO.

“Ndërkohë që po të rinjtë kanë qenë protagonistë të një momenti tjetër të rëndësishëm në rrugën e transformimit të Forcave tona të Armatosura: çeljes së dyerve të Shkollës Kombëtare të Fluturimit. Shqipëria kalon në një fazë të re me Forcat e veta Ajrore, duke u bërë një platformë e trajnimit dhe e certifikimit të pilotëve për Forcat e Armatosura.

“Është një Shkollë Kombëtare e Fluturimit që do të mirëpresë edhe kadetë nga Kosova dhe nga dy vendet e tjera anëtare të NATO-s në rajon, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, e patjetër edhe më pas nga cilido vend tjetër aleat”, tha Rama.

Rama theksoi se projekti do të zhvillohet në bashkëpunim me kompaninë izraelite të industrisë së mbrojtjes Elbit Systems si dhe me kompaninë shtetërore shqiptare KAYO.

“Shkolla është një hap tejet i rëndësishëm, i realizuar në partneritet me një tjetër kompani të ekselencës në botën e industrisë ushtarake, “Elbit Systems” nga Izraeli, dhe pjesë e partneritetit është edhe kompania jonë shtetërore “KAYO”, e cila tanimë është kthyer në një epiqendër të zhvillimeve transformuese në industrinë tonë të mbrojtjes, rilindja e së cilës vazhdon”, tha Rama.

/m.q/r.e/