Më 1 dhjetor 1909 u hap Normalja e Elbasanit, një arritje e madhe e kohës në përhapjen e arsimit, dijes dhe kulturës. Njihet si shkolla e parë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e cila u krijua në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar të mbajtur në Elbasan në 2-8 shtator të atij viti.
Shkolla i hapi dyert për herë të parë me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria, gjysma ishin nga Kosova e Çamëria.
Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë në gjuhën shqipe. Drejtori i parë ka qenë Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Hafiz Ibrahim Dalliu, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Çeka, Filip Leci, Kristo Dako, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë.Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit. Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga radhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë.
Në tetor 1923, pranë shkollës Normale hapet shkolla Ushtrimore, si nevojë e aftësimit profesional të nxënësve kandidatë dhe dalja e maturantëve të parë më 1924, janë ngjarjet më të shënuara në fillimet e historisë së kësaj shkolle. Drejtori i parë i shkollës Ushtrimore ka qenë Sulejman Harri me mësues Fadil Gurmani, Ahmet Duhanxhiu, Karl Ljarja, Ibrahim Berrania, Shaban Arra, Gani Daiu, Skënder Sejdini, Sotir Papahristo e të tjerë, që me mendim kohor didaktik sollën përvojën e shkollave Austriake, Gjermane, Zvicerane e të tjera shkolla perëndimore. Gjithashtu vitet në vijim si mesues shembullor i fizikës dhe matematikës dallohet Shefqet Peni.
Në 1993, u rikonceptua ringritja e Normales së Elbasanit për të dhënë me vërtetësi vlerat dhe kontributin. Kjo u bë e mundshme edhe nga bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe institucionet e tjera studimore kombëtare, si dhe figura personalitete, kryesisht ish- normalistë. Në fundshekullin e XX ai u vendos në katin e dytë të shkollës në një mjedis prej 80 m² të rikonstrukturuar Posaçërisht për muze.
Muzeu ka një fond prej mbi 5000 dokumentesh origjinale e fotokopje, të marra nga AQSH dhe të institucioneve të tjera studimore.
Janë edhe rreth 500 portrete, përfaqësues të brezave normalistë. Në vitrina tërheqin vëmendjen dhjetëra dosje dokumentesh, albumesh fotografikë, relikt të shumëllojshme, botime të së kaluarës dhe të së tashmes, revista, regjistra, portokolle të këshillit pedagogjik, kujtime të ish normalistëve. Fondi plotësohet me kujdesin e historianit të shkollës Genc Trandafili, që hulumton në dobi të pasurimit të muzeut.
Historia e arsimit shqip është sa e lashtë, po aq edhe krenare, me gjithë vështirësitë dhe sakrificat e zhvillimit të saj. Themi e lashtë për faktin se shqiptarët nuk pushuan së punuari për të zhvilluar arsimin shqip në trojet etnike shqiptare. Kështu, historia e arsimit shqip është e mbushur me ngjarje lavdie, krenarie, deri në sakrifica sublime që bënë mësuesit e popullit. Ata duke ditur thënien e njohur se “arsimi është arma kryesore e çdo populli” dhanë çdo gjë për çështjen e arsimit shqip. Ndërsa kur themi krenare, mendojmë tek gjenerata të tëra që kontribuan në rritjen e arsimit shqip, duke filluar me mësuesin e parë Pandeli Sotirin, pastaj Sevasti e Gjerazim Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ernest Koliqin, Ali Harshovën, etj, të cilët me punën e tyre lanë gjurmë të pashlyera në historinë e arsimit shqip.
Sa i përket historisë së arsimit shqip, ndër momentet kyqe të saj ishin pa dyshim hapja e shkollës së parë shqipe më 7 mars 1887, në Korçë, Kongresi i Manastirit më 14 nëntor 1908, ku u vendos çështja e alfabetit shqip, pastaj hapja e “Normales së Elbasanit”, më 1909, që njihet si shkolla e parë e mesme shqipe etj.
Shkolla Normale e Elbasanit mban titullin e artë “Nderi i Kombit” akordur nga Presidenti i republikës në vitin 2014.
Normalen e themeloi dhe e mbajti vetë populli shqiptar. Kongresi i Elbasanit u mor edhe me jetësimin e vendimit për themelimin e Normales së Elbasanit, duke përfshirë këtu edhe sigurimin e bazës materiale-financiare të veprimtarisë së saj. Nga shtypi mësojmë se grumbullimi i mjeteve financiare filloi gjatë punimeve të Kongresit, ku kontribuan drejtpërdrejt pjesëmarrësit e tij, drejtues klubesh e shoqërish kombëtare dhe individë të veçantë. Gjithashtu, Kongresi “votoj 700 lira për motin e parë…” (“Bachkim’ i Kombit”nr.10/1909). Për sigurimin e kushteve materiale-financiare të
Shkollës Normale, por edhe të shkollave të tjera shqipe, Kongresi i Elbasanit vendosi që të themelojë Shoqërinë e Mësonjëtoreve Shqip “Përparim”, me seli në Korçë. Për këtë qëllim, siç njoftohet në shtyp, Kongresi zgjodhi edhe një komision prej “10 zotërinjëve: Midhat Frashëri, Dervish Bej, Tehhi Bej, Ahmet Dakli, Dako, Selman, Bllomshi, Gj. Qirias, Haxhi Bej dhe Irfan Bej, për të vajtur ndë Korçë që të zgjedhin Pleqësinë e Shoqërisë “Përparim” (“Bachkimi’i Kombit”nr. 1/1909). Sipas gazetës “Korça” nr. 24/ 1909, kryetar i Pleqësisë së Mësojtoreve Shqip u zgjodh Orhan bej Pojani. Për realizimin e detyrave aq të rëndësishme të saj, shoqëria “Përparim” u angazhua në forma e fusha të ndryshme.
Shtypi pasqyroi hap pas hapi, ndër të tjera, edhe veprimtarinë e Pleqësisë Kujdestare (Komisionit të Shkollës), i përbërë nga: Ahmet Dakli, Emin Haxhi Ademi, Hysejn Ceka, Taqi Buda, Lef Nosi, Dhimitri Papa Kristo, Petre, Dot Biba, kryesuar nga “patrioti dhe trimi i paepur Dervish Hima”. Komisioni dërgoi “telegrafe kudo ndë Shqipëri për të kërkuar ndihmë për këtë qëllim…” (Po aty). Gazeta e “Shqypeja e Shqypënis” nr. 7/1909, qysh në gusht të atij viti, bënte thirrje patriotike “Trimënia e kombit shqyptar tani ka me u njoh për trimëni, me themelimin e mësonjëtorevet kombëtare, për të cilat, sicili shqypëtar, lypën t’mos ndryne zembrën dhe të ngurëtohet, po të xgjidhnë kuletën dhe të apë pa kursim për këta shejtore, në të cilat të na shëndriten fëmija në gjuhet vet, si gjithë kombet e qytetënuet.” Duke iu referuar nevojave të Shkollës Normale të Elbasanit, gazeta “Korça” nr. 15/1910, qortoi dhe apeloi njëkohësisht: “Mjaft, pra o atdhetarë që u mentuat si jinni mentuar gjer tani, dyke përdorur pasjen tuaj për gjëra që s’janë të nevojshme dhe humbasin me jetën tuaj, bëheni emrin të vet të pavdekur dyke i ndihmuar kombit tuaj të dalë nga padija.” Apele të tilla dhe ftesa për të ndihmuar Normalen e Elbasanit bëjnë edhe gazetat e tjera jashtë dhe brenda viseve shqiptare. Pasojnë edhe kontributet konkrete financiare, për çka dëshmojnë edhe listat e emrave të pjesëtarëve të klube
Në një shkrim në 110 vjetorit, me titull: “Shkolla Normale e Elbasanit, miti dhe e ardhmja” shkruar nga Tomorr Plangaric, Pedagog i disiplinave gjuhësore në departamentin e gjuhësisë, pranë Universitetit “A.Xhuvani”, në Elbasan, ndër të tjera shkruan se: “Një ndër këto raste fatlume, ku vlerat e prodhuara nga një institucion (bile edhe vlerat hipotetike që synohej të prodhonte ai institucion, qysh në lindje të tij) kanë mundësuar fillesat e mitit mbi të, është Shkolla Normale e Elbasanit, që i hapi dyert e saj më 1 dhjetor 1909.
Në historinë e një kombi që vinte prej një terri shumëshekullor, që në dhjetëvjeçarët e fundit po përvijonte rilindje politike, ideologjike, por edhe shpirtërore e kulturore, lindja e një institucioni të tillë ishte si lindja e një dielli në sistemin e tij planetar të kulturës e interesave shpirtërore, ndryshe nga ndriçimi që mund të vinte i qartë ose jo, por gjithsesi i reflektuar, nga sisteme të tjera diellore kulture apo vlerash shpirtërore.- Nënvizon më tej, nga Tomorr Plangaric.
Ndërsa në kumtesën e Peçi Naqellari nga Universiteti i Elbasanit, po në 110 vjetorin e Normales, potencohet se : “Hapja 110 vjet më parë e shkollës së parë të mësuesisë në Shqipëri, të cilën të gjithë edhe në histori, por edhe sot e njohim me emrin Normalja e Elbasanit, është një prej ngjarjeve çelës, etapë e pashmangshme në kalendarin e zhvillimit historik dhe kulturor të popullit shqiptar. Shkolla Normale për disa dekada u shndërrua në një institucion, ku mësuesit përgatiteshin si mësimdhënës të brumosur me idealet e atdhetarisë e shqiptarizmës, me dijet dhe frymën që vinte nga Rilindja Kombëtare, me njohjen dhe zbatimin e shumë prej teorive bashkëkohore evropiane në fushën e pedagogjisë, psikologjisë e shkencave të zbatuara”…Institucion që vendosi themelet e mendimit shkencor shqiptar
Më tej profesor Peçi Naqellari, në kumtesën e tij thotë se: “ Normalja si institucion vendosi themelet në disa drejtime të dijes e mendimit shkencor shqiptar. Si institucion u shndërrua në qendër të kultivimit e zhvillimit pedagogjik shqiptar. U hartuan dhe u zbatuan plane, programe e tekste mësimore të përshtatura me kërkesat e kohës. Gjithashtu, ajo u shndërrua në një qendër të eksperimentimit e përvijimit të shkencave të zbatuara.
Nëpërmjet botimeve të ndryshme u publikuan dijet, kërkimet dhe arritjet në fusha të ndryshme, të cilat u bënë një shtysë e parë për studiuesit e rinj në shumë fusha të shkencës shqiptare. Janë këto vlera që na bëjnë të pohojmë me krenari se Normalja me veprimtarinë e saj pedagogjike dhe shkencore për nivelet e arritura, fiton statusin e merituar të Universitetit të parë të përgatitjes së mësuesve në Shqipëri”.
Disa nga burimet për këtë shkrim ishin Arkivi Digjital Elbasan dhe Revista Albanon, Wikipedia, Dokumente në Muzeun e Normales.
Përgatiti: Edlira XHERRI