ATSH/ Duke nisur nga nesër (1 korrik 2025) hyn në zbatim të plotë marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore, e cila synon njohjen dhe mbrojtjen reciproke të të drejtave të qytetarëve që kanë kontribuar në të dyja sistemet.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka hartuar dhe publikuar udhëzuesin teknik të zbatimit të marrëveshjes, një dokument i detajuar që përcakton qartë procedurat, kriteret e përfitimit dhe dokumentacionin përkatës për aplikim.
Ky udhëzues do t’u shërbejë drejtpërdrejt qytetarëve shqiptarë dhe italianë, duke lehtësuar procesin për përfitimin e pensioneve dhe të drejtave të tjera që burojnë nga marrëveshja.
Marrëveshja, e cila u nënshkrua në Romë më 6 shkurt 2024, u finalizua me dokumentin përkatës që iu dorëzua kryeministrit Rama në mesin e muajit maj nga homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, gjatë vizitës së saj në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Europian.
Marrëveshja garanton një sërë mundësish për ata që kanë punuar në të dyja vendet. Pjesë e saj janë ata që, për shkak të mosplotësimit të kushteve minimale për pension, janë përjashtuar deri tani nga pagesa e tij. Kjo do të mundësojë përfitime për rreth 20% të personave mbi moshën 67 vjeç, të cilët deri tani nuk janë trajtuar me pension, me mundësi për të marrë deri në 400 euro në muaj.
Përfituesit do të kenë mundësinë të marrin pensione nga Shqipëria dhe Italia në varësi të viteve të punës që kanë kryer në secilin vend.
Marrëveshja ka bërë që zyrat përkatëse të shërbejnë si pikë kontaktesh të dyanshme, duke ofruar shërbime për qytetarët italianë dhe shqiptarë pa kosto shtesë.
/a.f//r.e/