/ATSH/- Kryenegociatori për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi deklaroi sot se detyra që ne kemi përpara është mjaft e vështirë e komplekse, për çka, tha ai, unë ndjehem mjaft i dedikuar.

Mazi tha se “ndërtimi i marrëdhënieve kontraktuale për anëtarësim me Europën e shoh si ushtrimi më i vështirë që ka marrë vendi ynë përsipër për të realizuar në këto 70 vite të të historisë moderne të shtetit tonë”.

“Është nder i madh për mua. Grupi negociator që unë do të kryesoj do të funksionojë si avokati më i mirë i vendit dhe popullit, si një partner serioz e bashkëpunues me Unionin Europian e institucionet e tij. Kjo është një rrugë e gjatë me sfida e vështirësi ndoshta do të kemi edhe pengesa po motoja jonë nuk do të jetë që “jo kjo gjë nuk bëhet”, por do të gjejmë rrugët për të realizuar atë që kemi nevojë në plotësim të kushteve”, tha Mazi gjatë ceremonisë për prezantimin e tij nga kryeministri Edi Rama.

Mazi tha se janë 130 mijë faqe në 35 kapituj që do të negociojmë. ”Prandaj ka rëndësi ekipi. Sukses i misionit, kryerja e misionit është kur ekipi funksionon harmonishëm duke e ruajtur ritmin e kryerjes së detyrave dhe kërkesave që ka kjo punë që kemi përpara. As ulje, as nxitim i madh, sepse kemi të bëjmë me një maratonë të gjatë dhe eksperienca na ka mësuar se kur e nisim me vrap nuk e përfundojmë as gjysmën e garës. Është garë e gjatë, por qëllimi është i madh dhe i njëjtë“, u shpreh ai.

Detyra ime, vijoi Mazi, është që tu dëgjoj, sqaroj e kërkoj pa asnjë shmangie e ulje ritmi, duke biseduar me të gjitha nivelet e larta të shtetit tonë e me të gjithë aktorët politikë të vendit tonë, sepse kjo rrugë e gjatë ka nevojë për mbështetjen plotë të gjithë secilit, mbështetjen e institucioneve të Presidentit, Kryetarit të Parlamentit, Qeverisë, akademikëve shoqërisë civile e mediave.

“I gjithë kompleksi institucional duhet të jetë në bashkëpunim e mbështetje për të ecur progresivisht për kryerjen e detyrave për hapjen në kohë e mbylljen në kohë, me të njëjta ritme të kapitujve të veçantë.

Mazi informoi se po punohet për ngritjen e një akademie për integrimin, si një qendër edukimi e trajnimi në vijim për të gjithë ata që do të merren me çështjen e integrimit. Sipas tij, do të merren mendime e shkëmbehen eksperienca si dhe do të punojnë lektorë të vendit e të huaj.

“Ekipi i Kryenegociatorit do të përbëhet nga një numër i vogël prej 3-4 këshilltarësh sepse funksionon rrjeti i negociatorëve për çdo ministri. Vakancat do të bëhen publike dhe kushdo që ka aftësitë e duhura të aplikojë. Unë do ti shoh me kujdes të gjitha aplikimet për këto poste, sepse ky post që unë do të mbaj me shumë nder, ka nevojë të këshillohet jo të këshillojë. Prandaj do të kemi mundësi të zgjedhim më të kualifikuarit, sepse suksesi i punës sonë ka më shumë rëndësi, sesa preferencat individuale”, u shpreh Mazi.

I pyetur mbi bashkëpunimin me Presidentin, Mazi tha se “e vlerësoj çfarë ka thënë për mua e profesionalizmin tim. Bashkëpunimi me Presidentin do të jetë në mënyrë konstante dhe është pjesë e institucioneve kryesore që drejtojnë vendin tonë dhe unë do të mbaj kontakte me të. Takimi me të mund të jetë në 2-3 ditët e para të kësaj pune në Shqipëri, pasi vetëm një ditë më parë, për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19 kam nisur punën në zyrën në Shqipëri. Në lidhje me pikat që ka shtruar Presidenti për integrimin, nuk është detyra ime të komentoj qëndrimet që mbajnë institucionet drejtuese të shtetit, por të zbatoj mandatin si kryenegociator”, deklaroi Mazi.
/a.gjonaj/ /a.g/