ATSH/- Kosova hap kalimin edhe në dy pika kufitare me Shqipërinë , në Qafë Prush dhe Qafë Morinë, të mbyllura për një kohë në ballafaqimin me pandeminë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e pikës 5 të Vendimit të Qeverisë të datës 31 maj 2020 sipas të cilit përveç pikave kufitare në Merdare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i bardhë, hapen kufijtë tokësor në Republikën e Kosovës edhe pikat e kalimit të kufirit Qafë Prush, Qafë Morinë, Muqibabë dhe Mutivodë. Vendimi do të hyjë në fuqi nga 22 qershori i këtij viti”, thekson njoftimi i dërguar nga mbledhja e sotme.
Bëhet e ditur se, ka marrë miratimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës edhe vendimi për nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare trepalëshe ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufirit. Marrëveshjen në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës do ta negociojë Ministria e Punëve të Brendshme.
“Marrëveshja synon shkëmbimin e informatave dhe rritjen e kontrollit të kalimit të lirë të kufirit në funksion të luftimit të kontrabandës dhe migrimit illegal”, u theksua në mbledhje.
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Kryeministri, Avdullah Hoti ka zhvilluar mbledhjen e saj të pestë të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime dhe politika të fushave të saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.