Shkencëtarët thanë se ngjarja tregon edhe një herë rrezikun që sjell shkrirja e shpejtë e akullit në Himalaje.
Fillimisht, u raportua se kishte ndodhur një tërmet dhe shumë njerëz besuan se lëkundjet e tokës kishin shkaktuar rrëshqitje të dheut, e cila më pas solli përmbytjen.
Nga katastrofa kanë humbur jetën të paktën 177 persona.
Por Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) sqaroi më vonë se, shkak mund të ketë qenë shembja e një akullnajeje.
Kjo do të thotë se një akullnajë, ose një pjesë e saj, është shkëputur dhe është shembur.
Goditja e masës së akullit, pasi ra në fund të një lugine ishte aq e fuqishme, saqë krijoi një lëkundje të tokës me magnitudë 5,2 Rihter.
Këtë e tregojnë të dhënat e USGS dhe analizat e shkencëtarëve.
Dr. Simon Cook, specialist i akullnajave në Universitetin e Dundee, tha se ekipi i tij kishte konstatuar se pjesa e poshtme e një akullnajeje në Nepal, pranë majës Langtang Lirung, ishte shembur.
Kjo zonë ndodhet rreth 15 kilometra në perëndim të vendit – ku ndodhën përmbytjet.
Sipas tij, akullnaja është shembur fillimisht në drejtim të veriperëndimit dhe më pas masa e akullit ka lëvizur përgjatë rrjedhës së ujit.
Një analizë e Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar Malor (ICIMOD) sugjeron se mund të ketë ndodhur një rrëshqitje masive e akullit dhe shkëmbinjve, nga një zonë shumë e lartë malore.
Kjo bëri që sasi të mëdha akulli, gurësh dhe mbetjesh shkëmbore të binin në lumin Lende Khola, i cili derdhet në lumin Bhote Koshi.
Si pasojë, lumi u fry papritur dhe nisi të transportonte me shpejtësi ujë, baltë dhe gurë të mëdhenj në drejtim të zonave më të ulëta.
Sipas ICIMOD, niveli i ujit në lumenjtë më poshtë u rrit me 7 deri në 9 metra brenda vetëm 30 minutash.
Disa stacione që monitoronin nivelin e ujit u shkatërruan ose u dëmtuan.
Zona është e rrethuar nga male të pjerrëta dhe pamjet nga përmbytja, tregojnë ujë dhe masa gurësh e dheu që vërsulen me shpejtësi nëpër luginën e lumit.
Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi shembjen e akullnajës të mërkurën.
Megjithatë, shkencëtarët kanë paralajmëruar prej vitesh se, ngrohja e temperaturave dhe ndryshimet klimatike po shkrijnë akullnajat dhe tokën e ngrirë në Himalaje, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve.
Një analizë e publikuar këtë vit nga ICIMOD, zbuloi se akullnajat e Himalajeve Hindu Kush po humbasin akull me një ritëm dy herë më të shpejtë se në vitin 2000.
Eksperti Simon Cook tha se raste të ngjashme, ku shembja e akullnajave ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje masive, janë regjistruar vitet e fundit edhe në Indi, Zvicër dhe Itali.
Në vitin 2021, një pjesë e madhe e një akullnajeje në Himalaje u shemb në luginën Chamoli në veri të Indisë.
Masa e akullit, gurëve dhe ujit u vërsul drejt zonave më të ulëta dhe rreth 200 persona humbën jetën.
Shkencëtarët vlerësuan më vonë se fuqia e goditjes ishte e barabartë me atë të 15 bombave atomike.
Edhe në Nepal, një zonë e së njëjtës hapësirë u përmbyt vitin e kaluar, pasi një liqen i krijuar nga shkrirja e akullnajave, në Tibet shpërtheu dhe lëshoi papritur ujërat.
Mohd Farooq Azam, specialist i ICIMOD, tha se rritja e rasteve të rrezikshme në “kriosferë”, një term që përdoret për pjesët e ngrira të Tokës, po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Sipas tij, ndryshimet po ndodhin aq shpejt sa masat aktuale nuk po arrijnë t’i përballojnë.
Shkencëtarët theksojnë se nuk mund të thuhet me siguri se një ngjarje e vetme është shkaktuar drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike.
Por, sipas Dr. Cook, kur shihen shumë ngjarje të tilla së bashku, bëhet e arsyeshme të mendohet se ngrohja globale po ndikon.
Me rritjen e temperaturave, akullnajat zvogëlohen, bora shkrihet më shumë dhe toka që ka qenë e ngrirë për shekuj fillon të shkrihet.
Kjo tokë e ngrirë, e quajtur “permafrost”, ndihmon në mbajtjen të qëndrueshme të disa shpateve malore.
Kur ajo shkrihet, shpatet mund të bëhen më të paqëndrueshme dhe të shkaktojnë më shumë rrëshqitje dheu, masa balte e gurësh, shkrirje akullnajash, shpërthime të liqeneve akullnajore dhe shembje akullnajash. //a.i/



























