Sipas të dhënave të publikuara nga AKVMB, rreth 60% e eksporteve të produkteve bimore shqiptare janë drejtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Peshën kryesore të eksporteve e zënë frutat, perimet, bimët mjekësore dhe ato zbukuruese, produkte që vijojnë të kenë një rol të rëndësishëm në tregtinë bujqësore të vendit.

AKVMB shpjegon se certifikata fitosanitare është dokumenti zyrtar që vërteton gjendjen shëndetësore të bimëve dhe produkteve bimore, duke garantuar se ato nuk janë të prekura nga sëmundje apo dëmtues karantinorë.

Një tregues i rëndësishëm për sigurinë e produkteve shqiptare në tregjet e huaja është fakti se asnjë produkt bimor shqiptar nuk është kthyer nga eksporti për probleme fitosanitare, thekson AKVMB.

AKVMB vlerëson se ruajtja e standardeve të larta fitosanitare rrit besueshmërinë e produkteve shqiptare dhe krijon më shumë mundësi për zgjerimin e eksporteve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në vendet e Bashkimit Evropian.

/e.xh/r.e/