ATSH/ Subjektet private realizuan 92,7% të transportit hekurudhor të mallrave në Shqipëri gjatë vitit 2025, duke zënë pjesën dominuese të këtij aktiviteti, sipas të dhënave të INSTAT në raportin “Transporti në shifra 2025”.
Sipas raportit, transporti hekurudhor i mallrave arriti në 17 milionë ton-kilometra gjatë vitit të kaluar, ndërsa subjektet private realizuan 88% të transportit të matur në ton dhe 92,7% të tij në ton-kilometra. Pjesa e subjekteve shtetërore ishte 7,3% e transportit të matur në ton-kilometra.
Mallrat e transportuara përmes hekurudhës përbëheshin kryesisht nga qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, që zunë 88% të totalit. Lëndët e para të ricikluara, mbetjet e ngurta bashkiake dhe mbeturinat e tjera përbënin 11,6%, ndërsa metalet bazë dhe produktet metalike të fabrikuara zinin 0,4%.
Rrjeti hekurudhor në shfrytëzim në Shqipëri arrin në 253,1 kilometra dhe përfshin linjat Durrës–Elbasan, Kufi–Gjorm, Fier–Vlorë dhe Rrogozhinë–Fier. Gjatësia e rrjetit ka mbetur pothuajse e pandryshuar gjatë viteve 2023–2025.
Ndërkohë, transportin hekurudhor për udhëtime e përdorën 4 146 pasagjerë gjatë vitit 2025, me një rënie prej 46,4% krahasuar me vitin paraardhës. Raporti evidenton gjithashtu se gjatë vitit të kaluar nuk u kryen importe apo eksporte përmes hekurudhës.


/e.xh/j.p/



























