ATSH/– Çmimet e konsumit në Shqipëri shënuan rritje vjetore me 2,7% në shtator 2026, ndërsa krahasuar me muajin gusht u rritën me 0,4%, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike vijuan të japin kontributin më të madh në inflacionin vjetor, me 0,78 pikë përqindjeje, ndonëse rritja e çmimeve në këtë grup ishte 2,3% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.

Sipas INSTAT-it, ndër grupet që ndikuan në rritjen e përgjithshme të çmimeve ishte edhe transporti, me një rritje vjetore prej 7,1% dhe kontribut prej 0,59 pikë përqindjeje. Ndërkohë, çmimet e argëtimit, sportit dhe kulturës u rritën me 8,7%, duke kontribuar me 0,56 pikë përqindjeje në inflacion.

Rritje vjetore u shënua gjithashtu në çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit me 3,2%, shërbimeve arsimore me 3%, restoranteve dhe akomodimit me 2,6%, si dhe shëndetit me 2,1%.

Në krahasimin mujor, rritjen më të lartë e regjistruan shërbimet arsimore, me 1,8%, të ndjekura nga argëtimi, sporti dhe kultura me 1,2%, si dhe ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1,1%. Çmimet e veshjeve dhe këpucëve u rritën me 0,9%.

Në të kundërt, çmimet e mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes së shtëpisë shënuan ulje me 1,2% gjatë shtatorit. Rënie u regjistrua edhe në restorante dhe shërbime akomodimi me 0,5%, kujdesin personal dhe shërbimet e ndryshme me 0,3%, si dhe informacionin dhe komunikimin me 0,2%.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit përdoret për matjen e inflacionit në përputhje me metodologjinë e harmonizuar evropiane, duke mundësuar krahasimin e ecurisë së çmimeve në Shqipëri me vendet e Bashkimit Evropian.

/e.xh/