ATSH/  Operatorët e transportit detar në Shqipëri do të përballen me kërkesa të reja për dokumentimin dhe kontrollin e emetimeve të gazeve serrë, në një hap që synon modernizimin e rregullave mjedisore dhe përafrimin e tyre me praktikat e Bashkimit Europian.

Projektvendimi i hedhur për konsultim publik parashikon ngritjen e një sistemi të posaçëm për matjen, raportimin dhe verifikimin e emetimeve nga anijet, duke vendosur kërkesa të standardizuara për kompanitë që operojnë në transportin detar.

Në fokus do të jenë CO₂, metani dhe protoksidi i azotit, ndërsa operatorët do të duhet të dokumentojnë konsumin e karburantit dhe të dhëna të tjera që lidhen me lundrimin dhe aktivitetin e anijeve.

Sistemi i ri nuk do të mbështetet vetëm në deklarimet e kompanive. Informacioni i mbledhur do të kontrollohet nga verifikues të pavarur të akredituar, duke synuar rritjen e saktësisë dhe besueshmërisë së të dhënave.

Rregullat do të prekin kryesisht anijet e transportit tregtar të mallrave dhe pasagjerëve që kryejnë udhëtime drejt, nga ose ndërmjet porteve shqiptare. Në varësi të kategorisë së anijes, kërkesat do të shtrihen edhe te disa mjete detare me tonazh më të ulët.

Për secilën anije do të duhet të përcaktohet paraprakisht mënyra se si do të mblidhen dhe përpunohen të dhënat. Planet e monitorimit do të përfshijnë burimet e emetimeve, llojet e karburantit, mënyrat e matjes së konsumit dhe procedurat për administrimin e informacionit.

Raportimi do të kryhet në baza vjetore. Operatorët do të duhet të paraqesin raportin e emetimeve të vitit të kaluar deri më 31 mars, pasi dokumenti të jetë verifikuar.

Përveç konsumit të karburantit dhe sasisë së emetimeve, sistemi do të mundësojë mbledhjen e të dhënave për distancën e përshkuar, kohën e kaluar në det, ngarkesën e transportuar dhe efikasitetin energjetik të anijeve.

Në këtë proces, Drejtoria e Përgjithshme Detare do të ketë rol qendror në zbatimin dhe miratimin e planeve të monitorimit, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të ndjekë zbatimin e kërkesave mjedisore. Verifikuesit do të akreditohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.

Sipas relacionit shpjegues, masa nuk pritet të krijojë shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit, ndërsa kostot kryesore të zbatimit do të përballohen nga operatorët privatë, përfshirë shpenzimet për ekspertizë teknike dhe verifikimin e të dhënave.

Nisma synon gjithashtu të krijojë një bazë të qëndrueshme statistikore për sektorin detar, duke i dhënë institucioneve mundësi të vlerësojnë më saktë ndikimin e transportit detar në klimë dhe të hartojnë politika për uljen e emetimeve.

Përafrimi me kuadrin europian pritet të sjellë një standard të ri transparence për transportin detar shqiptar, ku performanca mjedisore e anijeve do të matet, kontrollohet dhe raportohet në mënyrë të unifikuar.

/e.xh/j.p/