ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot ndryshimet në përbërjen dhe përgjegjësitë e grupit negociator të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vendimi i ri ndryshon vendimin datës 6 maj 2020, duke rishpërndarë përgjegjësitë për disa kapituj të negociatave dhe duke përfshirë emra të rinj në strukturën negociuese.
Ndryshimet prekin disa institucione, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Autoritetin e Konkurrencës dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
Një prej ndryshimeve është emërimi i Tana Kikës si bashkënegociatore për Kapitullin 12, së bashku me Arian Jaupllarin. Ndërkohë, Enkelejd Musabelliu merr përgjegjësinë si negociator për kapitujt 1 dhe 6, duke ruajtur rolin e bashkënegociatorit për kapitujt 28 dhe 30.
Në Ministrinë e Financave, Andi Memeti do të jetë negociator përgjegjës për kapitujt 32 dhe 33, si dhe bashkënegociator për Kapitullin 4. Ndërsa Blerta Rama hiqet nga lista e negociatorëve.
Ndryshime ka edhe në fushën e shëndetësisë. Denada Seferi do të jetë bashkënegociatore për Kapitullin 19, ndërsa Eugena Tomini i bashkohet grupit si bashkënegociatore për Kapitullin 28.
Për Kapitullin 8, Denar Biba dhe Mario Keputa do të ushtrojnë funksionin e bashkënegociatorëve. Ndërkohë, Natasha Ahmetaj do të jetë bashkënegociatore për kapitujt 4 dhe 17.
Rishikime të përgjegjësive janë bërë edhe në fushën financiare. Endrit Yzeiraj, përveç përgjegjësive si negociator për kriterin ekonomik dhe kapitujt 16 e 29, do të jetë bashkënegociator për kapitujt 9 dhe 17. Adela Xhemali kalon në rolin e bashkënegociatores për Kapitullin 9.
Një tjetër ndryshim lidhet me Kapitullin 22, për të cilin negociator përgjegjës emërohet Oltjon Muzaka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, duke zëvendësuar Ervin Demon.
Zbatimi i vendimit i ngarkohet grupit negociator dhe institucioneve përkatëse. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
/m.q/a.f/r.e/



























