Vëmendje e veçantë i është kushtuar pacientëve nën moshën 60 vjeç, me funksion normal të veshkave, që nuk i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe nuk ndodhen në repartet e kujdesit intensiv.

Ky grup përfshin më shumë se 23 mijë pacientë dhe, sipas rezultateve të studimit, përdorimi i ibuprofenit nuk u shoqërua me rritje të rrezikut për dëmtim të veshkave.

Megjithatë, të dhënat tregojnë se 87% e pacientëve të këtij grupi u trajtuan me oksikodon, një medikament opioid që përdoret për qetësimin e dhimbjeve.

Përdorimi i këtij ilaçi shoqërohet me efekte anësore dhe mund të krijojë rrezik për zhvillimin e varësisë, edhe pas ekspozimit gjatë një trajtimi spitalor.

Sipas autorëve të studimit, këto rezultate ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si përzgjidhen medikamentet për trajtimin e dhimbjes në spitale.

Ata theksojnë se një vlerësim më i hollësishëm i gjendjes shëndetësore dhe faktorëve individualë të rrezikut mund të ndihmojë në shmangien e përdorimit të panevojshëm të opioideve.

Në këtë drejtim, ibuprofeni dhe antiinflamatorët e tjerë mund të përdoren në mënyrë më të përshtatshme te pacientët që nuk kanë kundërindikacione, ndërsa duhet të shmangen në rastet kur ekziston rreziku i dëmtimit të veshkave apo komplikacioneve të tjera.

Gjetjet e studimit nënvizojnë nevojën për një qasje më të personalizuar në trajtimin e dhimbjes, duke shmangur përdorimin rutinë të medikamenteve më të fuqishme kur ekzistojnë alternativa të përshtatshme dhe më pak problematike.

Megjithatë, autorët theksojnë rëndësinë e vlerësimit mjekësor përpara zgjedhjes së çdo trajtimi.  /os/