ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar llojet dhe natyrën e mbështetjes financiare dhe të risqeve fiskale të mundshme në kontratat e Partneritetit Publik Privat (PPP), duke përcaktuar format e angazhimit financiar të shtetit dhe përgjegjësitë për identifikimin e administrimin e tyre.
Vendimi u miratua me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, në mbështetje të ligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
Sipas vendimit, përcaktohen format e mbështetjes financiare që mund të ofrohet në kuadër të kontratave PPP, si dhe detyrimet dhe ekspozimet fiskale që mund të lindin për palën publike gjatë zbatimit të tyre.
Mbështetja financiare e drejtpërdrejtë monetare mund të përfshijë pagesa për disponueshmëri, subvencione dhe kontribute kapitale, bashkëfinancim nga buxheti i shtetit, si dhe pagesa për shërbime në përputhje me kushtet e kontratës.
Ndër format e mbështetjes që mund të krijojnë detyrime kontingjente parashikohen garancitë kontraktore për të ardhura minimale, kompensimet për ndryshime ligjore ose rregullatore, kur ato lejohen shprehimisht nga kuadri ligjor dhe kontraktor, si dhe garanci të tjera të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Vendimi parashikon gjithashtu mbështetjen financiare jomonetare, përmes vënies në dispozicion ose dhënies së të drejtave të përdorimit të pronës publike, në përputhje me rregullat për administrimin e saj.
Një element i rëndësishëm është përcaktimi i ndarjes së risqeve ndërmjet palës publike dhe partnerit privat.
Në vendim thuhet se kjo ndarje duhet të mbështetet në natyrën e projektit dhe në aftësinë e secilës palë për të administruar në mënyrë efikase risqet përkatëse.
Sipas përcaktimeve, marrja përsipër e risqeve nga pala publike lejohet vetëm kur justifikohet nga natyra e projektit, parashikohet në dokumentacionin dhe kontratën përkatëse dhe miratohet sipas procedurave ligjore.
Vendimi thekson se kjo nuk mund të përdoret për transferimin automatik te shteti të humbjeve që i takojnë partnerit privat.
Në këtë kuadër, autoritetet ose entet kontraktuese kanë përgjegjësinë të identifikojnë, argumentojnë dhe dokumentojnë mbështetjen financiare dhe risqet që lidhen me kontratat PPP.
Ndërsa Ministria përgjegjëse për Financat kryen vlerësimin e implikimeve fiskale dhe jep dakordësinë paraprake për rastet që kërkojnë miratimin e Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, përcaktohet se miratimi i mbështetjes financiare ose i marrjes përsipër të risqeve fiskale nuk zëvendëson procedurat për planifikimin, autorizimin, regjistrimin dhe administrimin e angazhimeve buxhetore, përfshirë ato shumëvjeçare.
Identifikimi, vlerësimi, monitorimi dhe raportimi i risqeve fiskale dhe i detyrimeve që rrjedhin nga kontratat PPP do të vijojnë të kryhen sipas kompetencave dhe procedurave të përcaktuara në legjislacionin për koncesionet, partneritetin publik privat dhe menaxhimin e sistemit buxhetor.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/k.s/r.e/



























