Në takimin tonë të radhës në Shëndet+, tema për të cilën u diskutua, ka prekur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Bëhet fjalë pikërisht për fizioterapinë. I ftuar në studio për të folur mbi këtë temë ishte mjeku fizioterapist Gjergj Biba nga “Elite Physiotherapy”, i cili ndau me ne eksperiencat e tij perëndimore, informacionet dhe rezultatet e arritura përgjatë këtyre viteve.
Gjergj Biba u ndal më së shumti në patologjitë më të përhapura të cilat janë: hernia diskale, skolioza dhe gonartroza, nga se shkaktohen ato dhe se si mund të rehabilitohen.
Ai theksoi se shkaqet për këto patologji janë: jeta sedentare, aktiviteti i dobët ose siç ai e përshkruajti sëmundja e “karriges me rrota” e cila e agravon më së shumti gjendjen. Përgjatë këtij diskutimi, ai shpjegoi ndryshimet midis një mjeku fizioterapist dhe një masazhuesi, rëndësinë që ka ndjekja e dhimbjeve apo problemeve nga mjeku fizioterapist dhe rëndësinë parësore që ka fizioterapia në vetvete. Nuk duhet t’i japim përparësi qetësimit dhe relaksit disa ditor që të jep masazhi, përkundrejt shërimit fizioterapeut.
I pyetur nëse beson në alternativa të tjera rehabilitimi siç janë mjekimet popullore deri te operacioni, mjeku fizioterapist është përgjigjur që nuk është aspak dakord me këto zgjidhje, pasi e para mund të çojë në përkeqësim apo keqdiagnostikim, ndërsa e dyta mund të jetë zgjidhje në raste të rënda si aksidente etj. Në vazhdimësi të kësaj interviste, ai sqaroi të gjithë procesin nëpërmjet të cilit kalon një pacient; duke filluar që nga diagnostikimi deri te procesi i rehabilitimit.
Ai ka theksuar se duhet një bashkëpunim i mirë midis një mjeku terapeut dhe neurolog në mënyrë që diagnoza të jetë sa më ekzakte dhe rikuperimi sa më i shpejtë dhe afatgjatë. Ai e ka mbyllur këtë intervistë me një mesazh për të gjithë teleshikuesit, që ta duan trupin e tyre, ta trajtojnë atë si një tempull dhe të mos ia besojnë çdokujt.