Zv. ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini deklaroi sot se “këtë javë do të fillohet me vaksinimin antikovid të moshës mbi 90-vjeç, për të vijuar më pas me rend zbritës deri në 80 vjeç”.
E ftuar në një studio televizive Tomini tha se “të moshuar mbi 90-vjeç janë 5600 individë”. “Çdo qendër shëndetësore ka përcaktuar individët, janë të gjitha listat gati për kundrejt çdo qendre për individët për 90+ duke zbritur fashë pas fashe. Ne parashikojmë që kësaj jave përveç mjekëve do të vijohet me fashën 90+” tha ajo, ndërsa shtoi se “individët në pamundësi për të lëvizur drejt qendrave të votimit do të vaksinohen në shtëpi”, tha ajo.
Duke folur për situatën aktuale, Tomini theksoi se “tani kemi një zbritje të fashës së moshës që kërkon trajtim klinik”.
“Deri në këto momente jemi stacionar në masat që jemi. Por përhapja është e qëndrueshme. Për dy ditë, Komiteti Teknik do dalë me rekomandim për shtrëngim apo stacionim të masave”, tha ajo.
Lidhur me testimet, Tomini tha se “nga viti i kaluar është 4-fishuar numri i testimeve ditore, ndërsa shtoi se “nëse do kemi një numër më të madh hetimi, kapacitetet shtohen se infrastruktura është”.
“Nëse do kemi një dyndje për 10 mijë testime në ditë, mund të përballohen. Punohet me tre turne dhe ka kapacitete jo vetëm humane, por edhe në aparatura”, tha ajo.



























